Gjykata e Apelit në Shqipëri ka vendosur të martën që logoja dhe vula e Partisë Demokratike (PD) t’i përkasin grupimit më të madh brenda kësaj partie, që drejtohet nga ish-kryeministri Sali Berisha, pasi e rrëzoi ankesën e grupit tjetër të udhëhequr nga Lulzim Basha.
Ky vendim i ka dhënë fund përplasjes mes grupimeve të Berishës dhe të Bashës brenda PD-së për atë se kush ka të drejtë ta përfaqësojë zyrtarisht partinë më të madhe opozitare në Shqipëri.
Tre anëtarët e trupës gjyqësore kanë votuar unanimisht për ta rrëzuar ankesën e grupit të Bashës kundër vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë, e cila më 2022 ia dha drejtimin e Partisë Demokratike, Sali Berishës dhe legjitimoi strukturat e zgjedhura prej tij.
Berisha, i cili po mbahet në arrest shtëpiak, reagoi në rrjetet sociale duke e cilësuar vendimin si “fitore për demokracinë”.
“Këtij vendimi historia do t’i njohë meritën e madhe të parandalimit të një mynxyre të vërtetë për vendin, kapjen e pluralizmit politik nga partia shtet. Sot dera për ta është e hapur dhe respekti për kontributet dhe mendimin ndryshe është i garantuar. I vetmi i humbur sot është Edi Rama”, theksoi Berisha.
Berisha është duke u hetuar për korrupsion nga Prokuroria e Posaçme e Shqipërisë.
Ndërkaq, Lulzim Basha mblodhi strukturat e grupimit që drejton për të diskutuar për këtë cështje.
“Nuk komentoj vendimin e gjykatës. Hapat do t’i diskutojmë me kolegët. Do të jem në përputhje me angazhimi për ata qindra demokratë dhe synimi është largimi i Qeverisë”, tha Basha para nisjes së mbledhjes.
Situata e paqartë dhe përplasjet brenda PD filluan pas shtatorit të vitit 2021, kur Lulzim Basha, si kryetar i PD-së, përjashtoi nga grupi parlamentar Sali Berishën, pasi Shtetet e Bashkuara e shpallën “persona të padëshirueshëm” ish-kryeministrin në maj të atij viti.
Prej atëherë, Berisha mblodhi deputetët, drejtuesit e partisë në qarqe si dhe anëtarët e PD dhe zgjodhi struktura paralele në këtë parti, krahas atyre që ekzistonin e që ishin zgjedhur ndërsa partia drejtohej nga Basha.
Në janar të vitit 2022 pati përplasje të dhunshme mes mbështetësve të dy grupimeve, për shkak të konfliktit se cili prej tyre do të mbante selinë e PD-së, si dhe logon dhe vulën e saj. Në selinë e PD-së për disa orë pati konfrontime fizike dhe u desh ndërhyrja e policisë. Mbështetësit e Bashës u tërhoqën për të mos lejuar përsëritjen e skenave të tilla dhe selia e PD u mor nga Berisha dhe mbështetës të tij.
Më 21 mars të vitit 2022, menjëherë pas humbjes që PD pësoi në zgjedhjet e pjesshme vendore, Lulzim Basha dha dorëheqje si kryetar i partisë dhe vendin e tij e zuri Enkelejd Alibeaj. /REL/