Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Gjykata e Apelit lë në paraburgim të dyshuarit për vrasjen në “Bon Vivant”

 
   

Gjykata e Apelit ka njoftuar se ka refuzuar si të pabazuar ankesat e mbrojtësve të të pandehurve, Andi Pajaziti, Hisni Gecaj dhe Gëzim Zakuti për vrasjen e 4 gushtit në Bon Vivant.

Kjo gjykatë ka vërtetuar aktvendimin e Gjykatës Themelore të datës 6 gusht 2023, me të cilin ishte caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.

Gjykata e Apelit ka theksuar se Gjykata Themelore ka arsyetuar drejtë nga shkresat e lëndës dhe se deri me tani ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale për të cilat dyshohen. Po ashtu, në vendim thuhet se nga provat e mbledhura deri me tani janë plotësuar kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit.

Sipas dosjes së Prokurorisë, Andi Pajaziti, Gëzim Zakuti, Dukagjin Nikollaj dhe tashmë i ndjeri Kastriot Ramadani, së bashku me një person ende të paidentifikuar ,rreth orës 23:17 të 4 gushtit gjendeshin në lokalin “Bon Vivant”.

Policia e Kosovës ka njoftuar më 11 gusht se ka shpallur në kërkim Dukagjin Nikollaj, nën dyshimin se ai ka kryer katër vepra të ndryshme penale dhe se i njëjti dyshohet se ishte i përfshirë edhe në rastin e “Bon Vivant”.

Dosja e Prokurorisë shpjegon momentin kur palët nxorën armët e zjarrit dhe filluan të gjuajnë në njëri-tjetrin.

Fillimisht Kastriot Ramadani me të vërejtur se në lokal kishin hyrë Andi Pajaziti e Gëzim Zakuti nxjerr armën e zjarrit nga brezi, e njëjtë kishte vepruar edhe Dukagjin Nikollaj, i cili nxjerr armën nga një çantë që e mbante me vete, ku për një moment fillojnë të përleshen fizikisht Pajaziti me të pandehurin Nikollaj.

Tutje, sipas dosjes së Prokurorisë, Kastriot Ramadani më një shishe qelqi godet në kokë disa herë të pandehurin Andi Pajaziti, e ky i fundit me armë zjarri shkrep në drejtim të Kastriot Ramadanit. Edhe Kastriot Ramadani kundërpërgjigjet më armë të zjarrit, por nuk është i vetmi, pasi që edhe Nikollaj gjuan me armë zjarri në drejtim të Pajazitit.

Veprime këto që sipas Prokurorisë kanë rrezikuar jetën edhe të personave të tjerë të cilët kishin pësuar lëndime trupore nga predhat e armëve të zjarrit.

Të plagosur të tjerë kishin mbetur edhe Andi Pajaziti e Hisni Gecaj ndërsa plagëve të armës së zjarrit nuk kishte arritur t’u mbijetonte Kastriot Ramadani, i cili edhe kishte ndërruar jetë në QKUK. 13 persona, sipas Prokurorisë, ishin lënduar nga gotat e thyera të qelqit gjatë përpjekjes për t’u larguar nga vendi i ngjarjes.