Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Gjykata e Tenderëve me gjysmë bordi, dhjetëra ankesa presin shqyrtimin

 
   

Dhjetëra ankesa të kompanive të ndryshme, që ngrisin dyshime për shkelje në tenderë janë duke pritur për shqyrtim nga anëtarët e Organit Shqyrtues të Prokurimit.

Ky organ që ndryshe njihet edhe si Gjykata e Tenderëve, ligjërisht duhet që epilogun e një ankesë të e japë brenda, 34 ditëve. Por kjo pothuajse asnjëherë nuk ndodhë.

Mirëpo ka një mori faktorësh që ndikojnë në ky organ gjithnjë të i tejkaloj afatet e caktuara me ligj.

“Realisht dhe ligjërisht të them të drejtën afatet kohore, që duhet të vendos brenda tyre, ligjërisht afatet maksimale, janë 34 ditë, ndërsa sot praktikisht mesatarja kalon mbi 60 ditë, pra OSHP-ja nuk mund të japë përgjigje, epilog secilit rast, brenda afateve ligjore, kemi një vonesë të OSHP-së,  e cila vonës i atribuohet shumë faktorëve duke filluar, nga mosfunksionalizimi për një kohë të gjatë më shumë se një vit, dorëheqjet e vazhdueshme dhe riemërimet e antarëve të bordit të OSHP-së, e kështu me radhë”, ka thënë avokati Qendrim Arifi.

Sipas Arifit problematikë tjetër është edhe anulimi e kthimi në pikën zero, i tenderëve.

“Çështjes që një tenderë epilogu i tij zgjat më shumë se një vit, në aspekt të ping pongut, mes OSHP-së dhe autoritetit kontraktues, këtu më shumë dua të them se është mangësi ligjore që autoriteti më i fuqishëm, apo roli më i fuqishëm i OSHP-së është kthimi i aktivitetit në rivlerësim që i bie ta kthejmë në një institucion që ka vendosur autoriteti kontraktues, po ai institucion do ta rishqyrtoj edhe njëherë, por që ligjërisht në fakt gjatë rivlerësimit duhet të respektohen  në përpikmëri konstatimet dhe vlerësimet dhe rekomandimet e OSHP-së”, ka shtuar Arifi.

Në anën tjetër, nga Organit Shqyrtues i Prokurimit, në një përgjigje disa javë më herët kishin thënë se kanë kapacitete të limituara organizativ, për shkak të shkarkimit e dorëheqjeve të anëtarëve dhe se numri i ankesave është rritur dukshëm.

“Prandaj kapaciteti organizativ i Bordit (me 3 anëtar) në raport me numrin e konsiderueshëm të lëndëve dhe atë vazhdimisht në rritje, natyrisht se përbën barrë të rendë, sepse procesi i shqyrtimit dhe vendosjes, krahas natyrës, qëllimit, vlerave të konsiderueshme të prokurimit dhe përbërjes komplekse të lëndëve, në shumicën e rasteve kërkon njohje, kohë dhe përkushtim maksimal. Megjithatë me angazhimin konstant të këtyre 3 anëtarëve, deri tani janë zgjedhur mbi 800 lëndë, përderisa pjesa tjetër është ne proces shqyrtimi ende nga ana e administratës dhe eksperteve shqyrtues. Po ashtu duhet potencuar faktin se përgjatë vitit 2022 OSHP kishte pranuar 820 ankesa kurse për vitin 2023 kjo shifër ka tejkaluar në mbi 1030 ankesa”, kanë thënë nga OShP-ja.

Megjithatë për avokatin Ardian Bajraktari, këto arsye janë të paqëndrueshme, sepse sipas tij institucionet përgjegjëse do duhej të kujdeseshin që ky organ të jetë tërësisht funksionalë.

“Është një filtër që nënkupton që palët e pakënaqura me vendimet e autoriteteteve kontraktuese të i drejtohen këtij organi, dhe justifikimet e tilla sic janë mungesa e stafit, dhe mungesa e bordit funksional, nëatyrisht se janë të paqëndrueshme në kuptimin ligjor andaj vlerësoj që do duhej organet që merren me këtë cështje, në këtë rast ministria e Financave, të ketë fokusin sepse kjo me një formë ose tjetrën ndërlidhet edhe me operimin e operatorëve ekonomik”, ka thënë Bajraktari.

Nga prilli i vitit 2021 e deri në qershor 2022, ky organ ishte jo funksional për shkak të mungesës së bordit, derisa gjatë asaj kohe ishin pranuar 800 ankesa nga operatorët ekonomik.