Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Gjykata izraelite miratoi ndalimin e përkohshëm të Al Jazeeras

Gjykata izraelite e ka mbështetur të mërkurën vendimin e qeverisë për një ndalim 35-ditor, për arsye të sigurisë kombëtare, të operimit të transmetuesit televiziv Al Jazeera.

Një ministër në qeverinë e Izraelit tha se shpreson që ndalimi të zgjatet edhe për 45 ditë të tjera, kur ai të mbarojë të shtunën.

Me vendim, gjykata miratoi në mënyrë retroaktive një ndalim 35-ditor deri më 8 qershor.

Autoritetet izraelite bastisën një dhomë hoteli në Jerusalem, të përdorur si zyrë nga Al Jazeera, më 5 maj dhe thanë se po mbyllnin operimin për kohëzgjatjen e luftës në Gazë, duke e akuzuar transmetuesin për inkurajimin e armiqësive kundër Izraelit.

Al Jazeera hodhi poshtë akuzat të cilat i quajti “gënjeshtër e rrezikshme dhe qesharake” që rrezikonte gazetarët e saj.

Gjyqtari i Gjykatës së Qarkut të Tel Avivit, Shai Yaniv tha se atij i ishin ofruar prova, të cilat ai nuk i specifikoi, për një marrëdhënie të gjatë dhe të ngushtë midis Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – dhe transmetuesit Al Jazeera të mbështetur nga Katari, duke akuzuar kanalin për promovimin e qëllimeve të grupit radikal.

“Liria e shprehjes ka një rëndësi të veçantë në kohë lufte. Megjithatë, kur ka dëm të konsiderueshëm për sigurinë e shtetit, konsiderata e fundit është e para”, ka shkruar ai.

Al Jazeera, e cila ka kritikuar operacionet ushtarake të Izraelit në Gazë, nga ku ka raportuar gjatë gjithë luftës, i tha gjykatës se nuk ka nxitur dhunë apo terrorizëm dhe se ndalimi ishte joproporcional, sipas dokumenteve të gjykatës.

Lidhur me pretendimet për lidhje me Hamasin, ajo tha se gazetarët e saj kishin burime konfidenciale si në palën izraelite ashtu edhe në atë palestineze.

Hamasi e sulmoi Izraelin më 7 tetor të vitit të kaluar, duke vrarë mbi 1.200 njerëz dhe duke marrë peng rreth 250 të tjerë.

Pas këtij sulmi nisi lufta në Rripin e Gazës – të kontrolluar nga Hamasi.

Dhjetëra pengje të marra prej këtij grupi, u liruan gjatë një armëpushimi në nëntor, ndërsa disa të tjera u gjetën – të vdekura ose të gjalla – nga trupat izraelite.

Al Jazeera është një prej mediave të pakta ndërkombëtare që raportojnë nga Gaza që nga nisja e luftës.

Programet në gjuhën arabe të kësaj media shpesh publikojnë edhe deklarata nga Hamasi dhe nga grupe të tjera militante në rajon.

Transmetuesi ka akuzuar Izraelin për vrasjen e qëllimshme të disa gazetarëve të tij në Gazë.

Izraeli thotë se nuk synon gazetarët.

Ofruesit izraelitë satelitor dhe kabllor pezulluan transmetimet e Al Jazeera pas udhëzimit të qeverisë, më 5 majit.

Ministri për Komunikim tha të mërkurën se synonte të zgjaste ndalimin edhe për 45 ditë të tjera.

Zyra e Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut dhe Shtetet e Bashkuara e kanë kritikuar mbylljen e operimit të Al Jazeera-s në Izrael. /REL