Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Gjykata Kushtetuese hap dyert për qytetarët

 
   

Gjykata Kushtetuese organizon aktivitetin e radhës “Dita e Gjykatës së Hapur”, nesër (e enjte) me rastin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut.

Në këtë ditë, të gjithë qytetarët, e veçanërisht studentët e drejtësisë, përfaqësuesit e komunitetit juridik dhe vizitorët e tjerë, do të kenë mundësi që të vizitojnë objektin e Gjykatës Kushtetuese dhe të njihen më për së afërmi me Gjykatoren, me Bibliotekën dhe me ambientet në të cilat punojnë gjyqtarët dhe zyrtarët e Gjykatës, si dhe të informohen drejtpërsëdrejti përkitazi me historikun, me punën e deritanishme dhe me kompetencat kushtetuese të këtij institucioni.

“Organizimi i vizitës së qytetarëve të interesuar do të bëhet në përputhje me kapacitetet akomoduese që ofron ndërtesa e Gjykatës Kushtetuese dhe për grupe prej jo më shumë se pesëmbëdhjetë (15) personash në të njëjtën kohë. Vizitat do të organizohen çdo orë, ndërmjet orës 10:00 dhe 14:00, ndërsa kohëzgjatja maksimale e vizitës do të jetë dyzet e pesë (45) minuta”, thuhet në njoftim.

Para vizitës në Gjykatë, të gjithë vizitorët e moshës mbi 16 vjeç duhet të kenë me vete dhe të dorëzojnë në recepcion një dokument zyrtar identiteti (kartë studentore, letërnjoftim apo pasaportë).

Në fund thuhet se gjatë vizitës, vizitorët do të kenë mundësi të bëjnë foto vetëm në Gjykatore dhe në oborrin e Gjykatës.