Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Gjykata merr vendim për Millun Milenkoviq, i cili sulmoi KFOR-in

Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë vendim, me të cilin ia ka vazhduar masën e paraburgimit edhe për dy muaj, të dyshuarit për sulm ndaj KFOR-it Millun Milenkoviq-Llune.

Lajmin e ka konfirmuar për “Betimin për Drejtësi’, Mirlinda Gashi, zëdhënëse për informim e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

“Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special në çështjen penale kundër të pandehuri M.M, pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ka vendosur lidhur me masën e sigurisë. Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për vazhdimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit M.M, ashtu që masa e paraburgimit i është vazhduar në kohëzgjatje prej 2 (dy)muaj”, konfirmoi ajo.

Ndryshe, Milenkoviq-Llune është arrestuar nën dyshimin se ka kryer veprës penale “Sulmi terrorist” që kishte ndodhur ndaj zyrave të Komisionit Komunal të zgjedhjeve-KKZ në dhjetor të vitit të kaluar, në të cilën ngjarje dyshohet se është i përfshirë edhe ish-zyrtari policor i Kosovës Dejan Pantiq.

Po ashtu, Milenkoviq-Llune dyshohet edhe për veprat penale tjera të ndërmarra ndaj ushtarëve të KFOR-it, ku për këto dyshime Policia e Kosovës ka njoftuar se është duke mbledhur prova dhe dëshmi që e implikojnë të njëjtit edhe në kryerjen e veprave tjera penale.