Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Gjykimi për vrasjen në Baks të Skenderajt, dëshmitari rrëfen se si nën kërcënimin e armës e kishte dërguar viktimën në spital

 
   

Haxhimet Bardhi, në cilësinë e dëshmitarit, ka deklaruar se i akuzuari Fiton Musliu ia kishte drejtuar armën dhe i ka thënë hynë në veturë për ta dërguar të plagosurin, tani të ndjerin në spital.

“Fitoni ma ka drejtuar armën, dhe më ka thënë futu në veturën tende për ta dërguar të plagosurin në spital, dhe unë kam pranuar, kam hyrë në veturë vetëm të ndalet me qekaq, dhe mos të bëhet më shumë, të plagosurin – tani të ndjerin e kam vendosë në veturë mbrapa, dhe Fitoni është ulë me mua përpara, armën e ka lënë në vendngjarje, dhe kemi vazhduar në drejtim të Shtëpisë së Shendetit, në Skenderaj. Kam qenë në gjendje të keqe emocionale, në 3-4 raste gati kam bërë edhe aksident”, ka rrëfyer Bardhi.

Një deklarim të tillë, dëshmitari Bardhi e bëri të mërkurën, në Gjykatën Themelore të Mitrovicës, në gjykimin ndaj të akuzuarve Shukri dhe Rexhep Rexhepi, të cilët në bashkëkryerje po ngarkohen për vrasje të rëndë të viktimës B.M, në vitin 2022 në fshatin Baks të Skenderajt. Kurse, Fiton Musliu ngarkohet për vrasje të mbetur në tentativë.

Ai tha se dy të akuzuarit Rexhepi i ka dajë, përkatsisht vllëzër të nënës, dhe se të dajtë kishte shkuar në aheng familjar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I pyetur nga prokurorja Fetije Bajrami, dëshmitari tha se të akuzuarin Musliu e kishte njohur edhe më herët si fqinj të dajëve, sepse ishte rritë të dajtë dhe me të njejtin kishin luajtur dhe i kishin ruajtë lopët së bashku.

Mbrojtësi i të akuzuarit Rexhepi, avokati Mahmut Halimi e ka pyetur dëshmitarin se ku i kishte parë të shtrirë, tani të ndjerin dhe personin tjetër, në raport me veturën e Rexhep Rexhepit. Ai u përgjigj se e kishte parë para veturës në shiritin e kundërt – në anën e majtë të drejtimit të rrugës.

Mbrojtësi i të akuzuarit Rexhep Rexhepi, avokati Shyqyri Syla e ka pyetur dëshmitarin se a kanë pasur probleme më herët në mes të këtyre familjeve, dëshmitari tha jo.

Ndërkaq, mbrojtësi i të akuzuarit Fiton Musliu, avokati Gani Rexha e ka pyetur dëshmitarin se në çfarë gjendje ka qenë Fitoni në mometin kur iu ka drejtuar armën. Bardhi u përgjigj se nuk e di se në çfarë gjendje ka qenë ai, pasi vetë ka qenë në gjendje të keqe.

I pyetur se në momentin kur ka hy në automjet e deri në spital si është sjellë i akuzuari Fiton, dëshmitari tha se i kishte kërkuar të vozit më shpejtë.

Tutje, prokurorja Bajrami të njëjtin e ka ballafaquar me deklaratën e dhënë në Prokurori, ku ndër të tjera dëshmitari kishte thënë dajës së tij ia kishte kapë armën – automatin dhe i kishte thënë mos qitë me armë, ndërsa sot në shqyrtimin gjyqëor tha se nuk ka tentuar të gjuaj.

Për këtë, dëshmitari u pëgjigj se është e vërtetë që ai ka biseduar me dajën që mos me shtënë më, por armë nuk ka pas.

I pyetur nga kryetari i trupit gjykues, Mentor Hajraj, se kur ka arritur në vendin e ngjarjes, a ka pasur të shtëna, dëshmitari tha jo.

Ndryshe, i akuzuar në këtë rast ka qenë edhe Agim Musliu, ndaj të cilit ishte veçuar procedura pas pranimit të fajësisë për armëmbajtje pa leje.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë më 19 qershor 2023 ka ngritur aktakuzë kundër Shukri Rexhepit, Rexhep Rexhepit, Fiton Musliut dhe Agim Musliut.

Shukri dhe Rexhep Rexhepi akuzohen se më 23 korrik 2022, në fshatin Baks, Komuna Skenderaj, në bashkëkryerje, kanë privuar nga jeta viktimën B.M, si dhe kanë plagosur të dëmtuarin Labinot Ademi. Rasti thuhet se ka ndodhur pas një fjalosjeje. Kurse, Fiton Musliu akuzohet se me dashje ka filluar kryerjen e veprës penale të vrasjes mirëpo që e njëjta ka mbetur në tentativë, pasi i njëjti ka shkrepur me pushkë të gjuetisë me qëllim që ta privojë nga jeta Shukri Rexhepin. Kurse, Agim Musliu thuhet se ka mbajtur në posedim armë të zjarrit- pushkë e gjuetisë në kundërshtim me Ligjin për Armë.