Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Gjyqi ndaj Erion Veliaj shtyhet për nesër, zbulohet shkaku

Erion Veliaj ka dalë sot para trupës gjykuese të Apelit të Gjykatës së Posaçme, për të kërkuar zbutjen e masës së dhënë ndaj tij, atë të arrestit me burg, ndërsa rreth orës 9:40 ka mbërritur nga paraburgimi i Durrësit në ambientet e Gjykatës.

Kryebashkiaku i Tiranës, që vazhdimisht e ka cilësuar arrestimin e tij si të paligjshëm dhe ndaj prokurorit të çështjes ka hedhur akuza, sot prej orës 10:00 u fut në seancën që zgjati 7 orë dhe u drejtua nga gjyqtari Engert Pëllumbi, raporton TCh.

Ky i fundit është gjyqtari që dënoi me burg ish-ministrin Saimir Tahiri, ndërsa u zgjodh me short për të gjykuar edhe çështjen e Veliajt, pasi gjyqtarja Ilirjana Olldashi ndodhet me raport për shkak të problemeve shëndetësore.

Gjyqi u shty për ditën e nesërme në orën 12:30. Gazetarja Anila Hoxha raporton se do njihen avokatët me provat e reja.

Masën e kanë ankimuar edhe 4 nga 6 biznesmenët e akuzuar për korrupsion në këtë çështje, Meriman Palushi, Shkëlqim Fusha, Gentian Sula, aktualisht nën masën “detyrim paraqitje”, ndërsa biznesmeni Elman Abdule, i arrestuar, kërkon një masë më të butë se paraburgimi. Ndërkohë biznesmenët Sokol Kryeziu dhe Fatmir Bektashi nuk e kanë ankimuar vendimin e Gjyktës së Posaçme, “detyrim paraqitje”, transmeton KosovaPress.

Veliaj akuzohet për veprat penale “Korrupsion pasiv” dhe “Pastrim parash”, të kryer në bashkëpunim me bashkëshorten e tij Ajola Xoxa, e cila po hetohet në masë detyrim paraqitje, edhe për mosdeklarim pasurie.