Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

“Gjyshërit e kanë rrëmbyer në plotë kuptimin e fjalës”, Kikia zbardh detaje mbi rastin e zhdukjes së 3-vjeçarit në Durrës: Fëmija ka pësuar një traumë që nuk e di nëse do të rikuperohet

Një fëmijë 3-vjeçar në qytetin e Durrësit raportohet të jetë zhdukur. Ka qenë e ëma e të miturit ajo e cila ka bërë denoncimin në polici, ku ka thënë se 3-vjeçari është marrë nga gjyshërit 4 ditë më parë dhe nuk është kthyer më.

Një vit më parë 3-vjeçari kishte humbur të atin në një aksident automobilistik dhe jetonte me të ëmën.

Lidhur me këtë ngjarje, analisti Mentor Kikia është shprehur se gjyshërit e kanë rrëmbyer fëmijën në plotë kuptimin e fjalës.

Kikia tha në një emision televiziv, se pavarësisht nga çdo e drejtë kanunore apo tradite, fëmija duhet të jetojë me të ëmën e tij.

“Në realitetin tonë ne dëgjojmë në përditshmëri lajme për krime brenda familjes, ku më të shumtët ndodhin në çifte të divorcuara ku burri i mohon të drejtën gruas për të takuar fëmijën dhe anasjelltas. Ndërsa këtu kemi një zonjë, një grua të re, ku bashkëshorti ka humbur jetën në mënyrë aksidentale dhe ka patur një fëmijë 2 vjeç në atë moment.

Dhe kjo zonjë është nëna e fëmijës përtej çdo të drejte zakonore, traditave, etj. Fëmija i përket nënës. Kjo zonjë është nëna e fëmijës përtej çdo të drejte kanunore, etj. Por ajo me vullnetin e saj ka ruajtur marrëdhëniet me familjen e burrit.

Edhe pse nuk ka jetuar me ta, për të mirën e shëndetit të fëmijës nuk i ka shkëputur marrëdhëniet me ta. Ajo ka vendosur ta mbajë lidhur me familjen e babait. Pastaj fëmija me rritjen mund t’i intensifikonte lidhjet me fisin e babait.

Unë fjalën marrje do e zëvendësoja me fjalën rrëmbim. Gjyshërit janë ata që hapin gjoksin edhe kur prindërit i ngrenë zërin fëmijëve. Ata i pranojnë fëmijët pa kushte. Dashuria e gjyshit është mburojë ndaj gjithçkaje. Tani të mëndosh që gjyshërit që të rrëmbejnë fëmijën dhe ta fshehin, ai ka pësuar një traumë që nuk e di nëse do të rikuperohet”, tha Kikia.