Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka publikuar analizën për qeverisjen tri vjeçare ku ka theksuar ngecjen në politikën e jashtme, reformat në sundim të ligjit dhe luftën kundër korrupsionit. Kurse, sa i përket dialogut Kosovë-Serbi, GLPS konsideron se reagimi i butë ndaj Serbisë dhe qëndrimi agresiv ndaj Kosovës paraqet një gabim strategjik të bashkësisë ndërkombëtare, duke rrezikuar të gjithë procesin e dialogut.
Sipas analizës të realizuar, Qeveria Kurti nuk i ka sjellë vendit asnjë njohje të re, derisa është theksuar nevoja për zgjedhje afatgjate, pasi sipas GLPS-së, zgjidhjet afatshkurta dëmtojnë rrugën integruese të Kosovës.
Njomza Arifi, menaxhere e programeve në GLPS, ka listuar të arriturat dhe ngecjet e qeverisjes tri vjeçare të kryeministrit, Albin Kurti. Ajo ka thënë se viti i tretë i qeverisjes vazhdon të karakterizohet me fenomenin e pozitave të ushtruesve të detyrës duke tejkaluar në të shumtën e rasteve edhe afatet ligjore.
Arifi: Viti i tretë i qeverisjes, vazhdon të karakterizohet me fenomenin e pozitave të ushtruesve të detyrës
“Në përgjithësi, viti i tretë i qeverisjes, sikurse vitet paraprak, vazhdon të karakterizohet me fenomenin e pozitave të ushtruesve të detyrës duke tejkaluar në të shumtën e rasteve edhe afatet ligjore. Nga 16 institucione gjithsejtë, përfshirë 15 ministri dhe Zyra e Kryeministrit, vetëm katër prej tyre udhëhiqen nga sekretarë me mandatë të rregullt. Ky fenomen vazhdon të dëmtojë funksionimin e administratës publike në Kosovë. Kemi theksuar nevojën për një riformatim të Qeverisë për shkak të mungesës së performancës në disa dikastere. Edhe pse kjo ishte paralajmëruar nga kryeministri Kurti, një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Po hyjmë në vitin e katërt dhe të fundit, dhe nevoja për riformatim qe ka qenë e padiskutueshme, nuk është jetësuar gjatë kësaj kohe…Fenomeni i mungesës së transparencës dhe llogaridhënies mbetet ende i theksuar”, tha Arifi.
Sipas saj, reformat në sundim të ligjit kanë vazhduar të jenë në krye të agjendës qeveritare edhe gjatë vitit të tretë, duke shtuar se fokus i veçantë i vlerësimit që kanë realizuar është vënë mbi reformën e vetingut të sistemit të drejtësisë, iniciativën për reforminim e kornizës ligjore për sistemin prokurorial, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe strategjinë kombëtare për luftën kundër korrupsion.
Arifi ka thënë se gjatë këtij viti ka pasur kritika të vazhdueshme mbi tendencën e ekzekutivit për të ndërhyrë në sistemin e drejtësisë, përmes deklaratave publike karshi gjyqësorit dhe prokurorisë, për çfarë tha se një nga dokumentet kryesore në fushën e sundimit të ligjit mbetet Strategjia Kombëtare për Sundim të Ligjit 2021-2026.
Ajo po ashtu ka thënë se sa i përket Byrosë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, nuk ka pasur ndonjë lëvizje në këtë drejtim që kur i njëjti projektligj është dërguar në Gjykatën Kushtetuese për vlerësim të kushtetutshmërisë, që tashmë një vit.
Ndërsa, duke folur për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ajo tha se Kosova vlerësohet të jetë ende në një fazë të hershme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Arifi: Kosova vlerësohet të jetë ende në një fazë të hershme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar
“Kosova vlerësohet të jetë ende në një fazë të hershme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Edhe pse legjislacioni i rëndësishëm kundër korrupsionit është miratuar, zbatimi në praktikë mbetet shqetësues. Megjithatë, gjatë këtij viti si shenja pozitive në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit mund të shihen operacionet policore kundër kontrabandës në veri të Kosovës. Gjatë kësaj kohe në komunat veriore u bënë hapa konkret në shkatërrimin e laboratorëve të drogës, rrugëve ilegale të kontrabandimit, laboratorëve të kriptovalutave…GLPS poashtu konsideron se duhet bërë përpjekje të shtuara për të ngritur kapacitetet e brendshme të Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, duke marrë parasysh zgjerimin e kompetencave me ligjin e ri të aprovuar për këtë institucion. Për shkak të mandatit të zgjeruar, mbetet shumë e rëndësishme që kësaj Agjencie ti ofrohen të gjitha kushtet për ushtrim të duhur të mandatit të saj”, tha ajo.
GLPS po ashtu kërkon zbardhje sa më të shpejtë të skandalit i cili rrodhi në media sa i përket blerjes së rezervave shtetërore gjatë këtij viti të tretë qeverisje.
Në anën tjetër, drejtoresha ekzekutive e GLPS-së, Arbëresha Loxha-Stublla ka kritikuar Qeverinë mbi ndryshim-plotësimet e propozuara për Ligjin për Zyrtarët Publik (LZP).
Loxha-Stublla: Ndryshim-plotesimet e propozuara për LZP-në janë në kundërshtim me Kushtetutën
“Konsiderojmë që këto ndryshime janë në kundërshtim me Kushtetutën dhe parimet e administratës publike. Para së gjithash, Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), si institucion sponsorizues i këtij ligji, ndoqi një procedurë të papranueshme, duke e bërë atë të mbyllur për pjesëmarrjen e akterëve të interesuar. Në mënyrë të veçantë, mospublikimi i këtij procesi në platformën e konsultimeve publike shkel rregullat themelore të konsultimeve, duke shkelur parimin e transparencës, por edhe nxit dyshime mbi legjitimitetin dhe qëndrueshmërinë e vendimeve të marra. Me këtë projektligj (LZP), Qeveria edhe një herë dëshmoi preferencën e saj për ushtruesit e detyrës. Me aktin e propozuar, afati i ushtruesve të detyrës është zgjatur deri në 2 vjet, një tregues i qartë për tendencën e Qeverisë për të ligjësuar një fenomen të rrezikshëm që i bën këta zyrtarë më të ndjeshëm ndaj ndërhyrjeve politike të përditshme…Në anën tjetër, Ligji për Pagat vazhdon të has në sfida të njëpasnjëshme në praktikë si pasojë e dështimit të finalizimit të procesit të klasifikimit të vendeve të pjesën dërmuese të institucioneve publike”, tha Loxha-Stublla.
Stublla po ashtu ka thënë se Qeveria Kurtit II, nuk ka arritur të sigurojë ndonjë njohje shtesë apo anëtarësim në mekanizma ndërkombëtarë.
Loxha-Stublla: Qeveria Kurtit II nuk ka arritur të sigurojë ndonjë njohje shtesë apo anëtarësim në mekanizma ndërkombëtarë
“Duke hyrë në vitin e fundit, Qeveria Kurtit II nuk ka arritur të sigurojë ndonjë njohje shtesë apo anëtarësim në mekanizma ndërkombëtarë. GLPS konsideron se Qeveria Kurti II po dështon të sigurojë një strategji efektive sa i përket politikës së jashtme dhe përpjekjet mbesin jashtëzakonisht të limituara, pa ndonjë rezultat konkret as në sigurimin e njohjeve të reja e as në komunikimin e duhur me pesë shtetet mosnjohëse të BE-së. Me aq sa është parë në vitin e tretë, MPJD duket më shumë e fokusuar në fuqizimin e marrëdhënieve me Diasporën, sesa në përpjekjet për të siguruar një kornizë koherente të politikës së jashtme… Po ashtu GLPS konsideron se tendosja në marrëdhëniet me aleatët ndërkombëtarë, tensionet e vazhdueshme në komunat veriore me shumicë serbe dhe stagnimi në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë vazhdojnë të jenë faktorë kyç që minojnë përpjekjet e politikës së jashtme të Kosovës dhe pengojnë njohjen e mëtejshme ndërkombëtare…Aktualisht qasja dhe politikat e propozuara shfaqin zgjidhje afatshkurtra, duke shkaktuar mungesë të qëndrueshmërisë dhe duke privilegjuar politikat e momentit, ndërsa neglizhojnë synimet afatgjata të zhvillimit të vendit.”, tha Loxha-Stublla.
Mes tjerash, ajo ka thënë se që nga marsi i vitit të kaluar, dhe veçanërisht pas sulmit në Banjska në shtator, dialogu me Serbinë ka konsumuar shumicën e përpjekjeve të politikës së jashtme të kryeministrit Kurti gjatë këtij viti të tretë.
Loxha-Stublla: Dialogu me Serbinë ka konsumuar shumicën e përpjekjeve të politikës së jashtme të Kryeministrit Kurti gjatë këtij viti të tretë
“GLPS konsideron masat e BE-së kanë rezultuar me dëme politike, ekonomike dhe teknike për Kosovën, dhe tregojnë për një qasje asimetrike të BE-së kundrejt dy shteteve në dialog. Procesi i Integrimit Evropian mbetet ende i limituar brenda mekanizmave të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe Agjendës Evropiane për Reforma…Që nga marsi i vitit të kaluar, dhe veçanërisht pas sulmit në Banjska në shtator, dialogu me Serbinë ka konsumuar shumicën e përpjekjeve të politikës së jashtme të kryeministrit Kurti gjatë këtij viti të tretë…GLPS konsideron se reagimi i butë ndaj Serbisë dhe qëndrimi agresiv ndaj Kosovës paraqet një gabim strategjik të bashkësisë ndërkombëtare, duke rrezikuar të gjithë procesin e dialogut. Prandaj, një qasje e ekuilibruar nga BE-ja, është thelbësore që procesi i normalizimit të japë rezultate”, ka shtuar Loxha-Stublla.
GLPS po ashtu thekson se integrimi i qytetarëve serbë të Kosovës mbetet thelbësor, duke shtuar se bie mbi përgjegjësinë e qeverisë për të zhvilluar një strategji që synon integrimin e komunitetit serb të Kosovës, duke ofruar stimuj ekonomikë, socialë dhe politikë.