Me datën 1 shkurt ka hyrë në fuqi rregullorja e BQK-së e cila ndalon përdorimin e dinarit në Kosovë.
Kjo çështje ka sjellë një reagim të menjëhershëm të ndërkombëtarëve të cilët kërkojnë pezullimin e këtij vendimi.
Ambasadorët e shteteve të QUINT-it kanë kërkuar që Kosova të pezullojë zbatimin e rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës (BQK-së).
Përmes një deklarate të përbashkët, ambasadorët e QUINT-it thanë se pezullimi i vendimit do të duhej të bëhej për të ‘mundësuar një periudhë të mjaftueshme tranzicioni dhe për komunikim të qartë dhe efektiv publik’.
Edhe ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Jeffrey Hovenier, pas takimit të realizuar me kryeministrin Kurti ka insistuar në shtyrjen e zbatimit të rregullores së BQK-së.
Në lidhje me këtë çështje ka folur për “Gazeta Blic” deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu.
Haxhiu tha se pushtetit të Serbisë në Kosovë bashkë me dinarin i dha fund lufta e UÇK-së në qershorin e vitit 99.“Pushtetit të Serbisë në Kosovë bashkë me dinarin i dha fund lufta e UÇK -së që nga Qershori i vitit 1999.Në vitin 2002 BQK e ka zyrtarizuar EURO- n si valutë zyrtare të vetme në Kosovë. Me Kushtetutën e Kosovës valutë e vetme në Kosovë është EURO”
Haxhiu shtoi se ‘qeveritarët e vonuar në histori po kërkojnë kauza farse por duhet ta kuptojnë se nuk mund të hyjnë në histori me dinar te Serbisë”
“Krejt lajmet tjera për dinarin janë për konsum ditor dhe populizëm politik. Qeveriarët e vonuar në histori po kërkojnë kauza farse por duhet ta kuptojnë se nuk mund të hyjnë në histori me dinar te Serbisë!” deklaroi Haxhiu në një intervistë dhënë për “Gazeta Blic”.
Bekim Haxhiu, PDK
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë,Jorn Rohde,ka deklaruar se rregullorja e BQK-së nuk do të duhej të bëhej në mënyrën se si është bërë.
Ai thekson se nuk duhet të ketë eskalim të situatës.
“Kjo është bërë në një mënyrë që nuk do të duhej të bëhej. Njerëzit duhet të jenë të informuar para së gjithash dhe nuk e kritikojmë rregulloren por ne shtetet e QUINT-it por me mënyrën se si është implementuar dhe njerëzit nuk janë informuar dhe janë frikësuar sidomos në një ambient të ndjeshëm të cilin e kemi. Kemi dialogun, kemi bisedimet andaj nuk nevojiten kërkesa shtesë dhe nuk duhet të eskalojnë tensione shtesë dhe nuk është mënyra të cilën duhet ta përcjellim”, tha ai.