Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Aplikimin në selinë e Këshillit të Evropës, në Strasburg, e ka bërë ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla.
Këshilli i Evropës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë, me seli në Strasburg të Francës.
Këshilli mbron lirinë e shprehjes dhe të mediave, barazinë dhe minoritetet në vendet anëtare.
E në lidhje me këtë process shumë të rëndësishëm për Kosovën ka folur profesori Muhamet Kelmendi për “Bota sot”.
Ai thotë se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës do i hapë shumë rrugë vendit tonë duke shtuar që i hapë mundësitë edhe për të akuzuar subjektet fizike dhe ato juridike, deri edhe shtetin, organet dhe shtetin serb, lidhur me cështjet e pazgjidhura në fusha të ndryshme si dhe shkeljet që bëhen.
Muhamet Kelmendi
“Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës është një fitore e madhe në politikën Evropiane dhe më gjerë. Shteti me anëtarësim fiton subjektivitet më të lartë të pavarur dhe hynë në kuadër të shteteve sovrane me peshë në kontinentin e vjetër. Anëtarësimi i hapë mundësitë edhe për të akuzuar subjektet fizike dhe ato juridike, deri edhe shtetin, organet dhe shtetin serb, lidhur me cështjet e pazgjidhura në fusha të ndryshme si dhe shkeljet që bëhen. Këtu po përmendi pensionet e pensionerëve të Kosovës, cështjen e pronës së tundshme dhe të patundshme, të mjeteve që kanë qenë të kursyera në bankat serbe, për dokumentet e vjedhura, artifatet historike dhe shumë çështje tjera. Edhe shkeljet ndaj qytetarëve të Kosovës mund dhe shqyrtohen”, u shpreh ai.
Më tej, profesori thekson që Serbia kështu mund të paditet dhe për dëmin material dhe moral të shkaktuar gjatë luftës gjenocidiale ndaj shqiptarëve në Kosovë.
“Fitore tjetër është edhe e drejta që shteti të padisë Serbinë në Gjykatat Ndërkombëtare për gjenocid dhe dhunën e terrorinë e bërë mbi Kosovë. Serbia kështu mund të paditet dhe për dëmin material dhe moral të shkaktuar gjatë luftës gjenocidiale ndaj shqiptarëve në Kosovë. Këto çështje mund dhe duhet të shqyrtohen në gjykatat ndërkombëtare. Kështu hapet perspektiva edhe për njohje të shtetit të Kosovës nga shtetet që ende nuk e kanë njohur. Këtu duhet përmendur pesëshen e UE-së. Me këtë anëtarësim, pra, në Këshillin e Evropës humb në peshë qëndrimi serb për të mos njohur shtetin e Kosovës. Fiton shume politika paqësore e Kosovës”, përfundoi Kelmendi për “Bota sot”.