Në kuadër të konferencës “Diaspora për Gratë në Politikë” u diskutua për sfidat e grave gjatë përfshirjes së tyre në politikë, si dhe hapat që duhet të ndërmarrën për të fuqizuar rolin e tyre në partitë politike. Pjesë e kësaj konference ishte ministrja e Drejtësisë dhe njëkohësisht kryetarja e Forumit të Gruas nga Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, e cila tha se përpjekja për të bindur gratë të hyjnë në politikë është tejet e vështirë.
Haxhiu tha se për shkak të mentalitetit dhe faktorëve të ndryshëm, gratë hezitojnë që të jenë pjesë aktive e politikës ose të kenë pozita të cilat janë të rëndësishme, ngase sipas saj, gabimi i tyre gjykohet më shumë sesa ai i burrave.
“Synimi i GVV-së brenda Vetëvendosjes, organizatë e grave është që ta ngrisim anëtarësinë vajzat dhe gratë brenda Vetëvendosjes, në kuptimin që pastaj ato të jenë edhe në organet e tjera të Lëvizjes Vetëvendosje, qoftë në Këshill, qoftë në kryesi, qoftë në pika…Është një përpjekje shumë e vështirë, unë jam çdo ditë pas orarit të punës në terren, por më besoni që pavarësisht punës që bën kur kthehesh mbrapa dhe mendon prapë duket që është pak…Përpjekje më të vështirë për shkak të mentalitetit të cilin ne e kemi që për shkak të faktorëve të ndryshëm gratë hezitojnë që të jena pjesë aktive e politikës ose të kenë pozita të cilat janë të rëndësishme…Kur bëhen listat për kandidate për asamble, kur bëhen propozimet për kandidatë për kryetarë të komunave, është puna më e vështirë që të bindim vajzat dhe gratë që të jenë pjesë e partive politike. 33:45 Një gabim i një gruaje në politikë gjykohet shumë më shumë sesa një gabim i një burri në politikë” tha Haxhiu.
Ndërkaq, nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku derisa foli për fuqinë e gruas për të udhëhequr dhe trajtuar tema të rëndësishme, tha se duhet larguar trashëgiminë politike e historike që t’i ndajnë burrat dhe gratë në tavolina të ndryshme.
“Në Kosovë por edhe në Ballkan përgjithësisht në forume politike janë dy tavolina. Është një tavolinë kryesore, ku rrinë burrat eventualisht edhe ndonjë grua si unë e Albulena në këtë rast. Po pastaj është një tavolinë tjetër, ku rrinë gratë dhe ajo është tavolina e dytë, ke tema të burrave, politika e jashtme, politikat e mbrojtjes, politikat ekonomike, pastaj janë disa tema në thonjëza të lehta që u lihen për trajtim grave. Nuk ka tema të grave dhe tema të burrave. Nuk ka çështje të grave dhe çështje të burrave…Ne duhet t’u sjellim shkelm këtyre trashëgimive politike e historike që t’i ndajnë burrat e gratë nëpër tavolina të ndryshme dhe që kufizojnë temat me të cilat duhet natyrshëm të merren gratë” tha Çitaku.
Pjesë e kësaj konferencë ishte edhe nënkryetarja e Forumit të Gruas nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Albulena Muajaj-Bajraktaraj, e cila derisa foli për rolin e rëndësishëm të gruas në zhvillimin e një shteti, u bëri thirrje atyre që të mbështesin njëra-tjetrën për të kaluar sfidat.
“Lidhja Demokratike e Kosovës tani është në fazën e zgjedhjeve të brendshme, zgjedhjes së strukturave të saj, kështu që i gjithë avokimi jonë në këtë drejtim edhe misioni i Forumit të Gruas në këtë drejtim konsiston ën atë që LDK duhet ta ketë në përfaqësim të denjë ligjor, sepse tradicionalisht është një parti që është e thirrur për zhvillim dhe emancipim të gruas…Në gjithë këtë rrugëtim sfidues për gjininë femërore drejt suksesit dhe drejt arritjes, pa dyshim që askush më mirë e askush më drejtë nuk shërben për të ardhmen sesa vetë gruaja, duke u nisur nga fakti që gruaja është vetë burimi i jetës, kështu që ajo forca ë mbështetjes dhe e energjia që posedojnë secila është mirë ta shpërndajnë me njëra tjetrën”, potencoi Mujaj-Bajraktaraj.
Kryetarja e Forumit të Gruas në kuadër të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Diellza Kukaj tha se të jesh grua në politikë është shumë e vështirë, ngase rrugëtimi është plot sfida e kurthe.
“Zakonisht xhelozoj shumë kur shoh burrat sa shumë e përkrahin njëri-tjetrin dhe synoj që këtë ndjenjën e xhelozisë pozitive ta ndjell edhe tek gratë tjera gjithmonë në aspektin pozitiv…Të jesh grua në politikë është shumë e vështirë, politiken e konsideroj si një terren të papërshtatshëm dhe të panjohur. Unë vetë jam gjenerata e dytë në politikë pikërisht nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe e di që është një rrugëtim jo i lehtë me plot sfida, me plot pabesi, me plot kurthe të cilat duhet të jemi të gatshme dhe të zonjat që t’i tejkalojmë”, theksoi Kukaj.
Konferenca është organizuar nga organizata “Germin”