Ekspozimi i duhur dhe efektiv i produkteve në ngjarje rrjetëzimi dhe panaire është ndër faktorët kryesor që një biznes të arrijë majën e suksesit. Paraqitja e denjë, komunikimi në mënyrë tërheqëse dhe bindëse me klientë, mundësia për rrjetëzim, identifikimi i konsumatorëve, mbledhja e komenteve dhe sugjerimeve direkte nga ta, aspekti vizual dhe materialet janë ndër çështjet pikat kryesore që ndikojnë në rritjen e një biznesi.
Kështu u tha sot në trajnimin e mbajtur në kuadër të projektit “Mbështetja për gratë në zhvillimin e bizneseve te tyre”. Fokusi kryesor në këtë trajnim ishin këshillat ofruar grave se si të avancojnë me shitjet e produkteve të tyre, si t’i identifikojnë dhe të lidhen me klientët e dëshiruar, si dhe të mësojnë rëndësinë e panaireve për bizneset e tyre.
Në kuadër të këtij projekti, i cili zbatohet nga organizata jo qeveritare ‘Qendra për Inovacione dhe Zhvillim’ dhe financohet nga Agjencia Sllovake për zhvillim dhe bashkëpunim ndërkombëtar “SlovakAid”, shumë gra morën instruksione nga më të ndryshmet në mënyrë që të tërheqin sa më shumë klientë për produktet e tyre.
Trajnerja e këtij projekti, Linda Baleta e konsideroi si shumë të rëndësishëm përshtypjen e parë të një produkti për klientët, për çka tha se paraqitja, organizmi, ekspozimi, komunikimi dhe gjithçka tjetër duhet të jetë në nivel, ashtu që të arrihet deri te suksesi.
Baleta: Paraqitja si duhet dhe efektive në ngjarje rrjetëzimi dhe panaire është thelbësore për rritjen e bizneseve
“Paraqitja si duhet dhe efektive në ngjarje rrjetëzimi dhe panaire është thelbësore për rritjen e bizneseve tuaja. Për shembull, produktet tuaja i prezantoni në shtande apo hapësira të ndryshme dhe nëse këtë hapësirë e dizajnoni me koncept të bukur dhe pastër, komunikimin e bëni më tërheqës dhe bindës dhe kështu do të veçoheni nga konkurrenca dhe do të keni ndikim tek klientët. Panairet ofrojnë mundësi për rrjetëzim, pasi komunikoni me ekspozuesit e tjerë, me ekspertë të industrisë dhe krijoni lidhje të vlefshme të cilat mund të pasojnë me bashkëpunime të ndryshme. Gjithashtu, ia vlen që proaktivisht të kërkoni mundësi për të shfaqur produktet tuaja, duke rritur reputacionin e brendit tuaj. Me rëndësi është edhe identifikimi i klientëve që kanë më së shumti gjasa të kenë interesim për produktet tuaja”, tha Baleta.
Baleta vlerëson se mbledhja e komenteve dhe sugjerimeve direkte nga klientët, aspekti vizual, duke përfshirë fotografitë, dizajnet, etiketat dhe mënyra se si vendosen produktet nëpër panaire, janë ndër pikat kryesorë që ndikojnë në paraqitjen e suksesshme të artikujve të ndryshëm për konsumatorët.
Po ashtu ajo shtoi se në botën e sotme përshtypjet e para për artikujt janë shumë të rëndësishme, duke përfshirë ngjyrën, imazhet, pozicionin, për çka potencoi se janë disa element jo vetëm që përfaqësojnë biznesin tuaj, por e dallojnë atë nga të tjerët.
Baleta: Në botën e sotme përshtypjet e para kanë rëndësi më shumë se kurrë
“Të marrësh komente dhe sugjerime direkte nga klientët apo konsumatorët, aspekti vizual, përfshirë edhe fotografitë, dizajnet, etiketat dhe mënyra se si vendosen produktet nëpër panaire janë ndër pikat kryesorë që ndikojnë në paraqitjen e suksesshme të artikujve të ndryshëm. Po ashtu, faktorët që ju ndihmojnë për të tërhequr klientët përfshijnë karakteristikat e produktit, çfarë veçorish ka produkti juaj që e dallon nga të tjerët, cilësia, çmimet, si e ofroni shërbimin apo edhe inovacioni. Në botën e sotme përshtypjet e para kanë rëndësi më shumë se kurrë: ngjyra, imazhet, pozicioni, janë disa elemente jo vetëm që përfaqësojnë biznesin tuaj, por e dallojnë atë nga të tjerët. Po ashtu, duhet të përfshini elementë interaktivë, aktivitete praktike për t’i angazhuar vizitorët dhe për t’i inkurajuar ata që t’i blejnë produktet tuaja. Materialet promovuese janë të domosdoshme, të keni me vete pse jo edhe tableta ose laptop ku të shfaqni fotografi të produkteve tuaja pasi kjo ndihmon për t’i tërhequr klientët”, theksoi Baleta.
Cikli i trajnimeve do të vazhdojë edhe tutje me gratë në fushën e biznesit nga e gjithë Kosova, në të cilët do të ketë informacione dhe këshilla edhe më të detajuara sa i përket bërjes sa më të mirë të biznesit.