Përhapja e zjarreve në Greqi ka shënuar rritje, e si pasojë e kësaj autoritetet greke kanë arrestuar 79 persona për zjarrvënie.
Ministri i Mbrojtjes Civile, Vassilis Kikilias tha se kishte pasur disa përpjekje nga zjarrvënësit për të ndezur sërish zjarre të reja në malin Parnitha, në veriperëndim të Athinës, raporton BBC.
Qindra zjarre të përhapura në Greqi kanë lënë të vdekur së paku 20 persona këtë javë.
“Jeni duke kryer krim kundër vendit tuaj”, deklaroi Kikilias.
“Llumat zjarrvënës po ndezin zjarre që kërcënojnë pyjet, pronat dhe mbi të gjitha jetët njerëzore”, u tha Kikilias grekëve gjatë një konferencë urgjente televizive të enjten.
“Nuk do të mund të ikësh, do të të gjejmë, do të mbash përgjegjësi”.
Stefan Doerr, i cili drejton Qendrën për Kërkimin e Zjarrit në Universitetin Swansea, thotë se peizazhe të shumta të ndezshme – për shkak të motit të nxehtë ose menaxhimit të dobët të bimësisë – do të thotë se zjarrvënia dhe incidentet e tjera mund të shndërrohen shumë lehtë në zjarre të mëdha.
Zëdhënësi i qeverisë Pavlos Marinakis i tha transmetuesit publik grek ERT se nga 140 arrestime të lidhura me zjarret, 79 kishin të bënin me zjarrvënie.
Qindra zjarrfikës në të gjithë Greqinë janë duke luftuar me zjarret vdekjeprurëse.
Fronti i madh i zjarrit që shpërtheu të shtunën pranë qytetit port të Alexandroupolis është bërë më i madhi në histori në BE, sipas komisionarit evropian, Janez Lenarcic.
Në fillim të kësaj jave, trupat e 19 personave që besohet se ishin emigrantë, me fëmijë mes tyre, u gjetën pranë rajonit Evros në Greqinë verilindore.