Ministria e Mbrojtjes së Qytetarëve të Greqisë ka publikuar në fletoren zyrtare qarkore sipas së cilës emigrantët shqiptarë do të lejohen të kalojnë lirshëm me vërtetimin blu deri në 31 dhjetor 2024.
Kjo qarkore rrëzon atë të mëparshmen, sipas së cilës shqiptarët e Greqisë do të pengoheshin të qarkullonin pas 31 marsit, nëse ishin në pritje të lëshimit apo rinovimit të lejes së qëndrimit
Siç e theksoi Neës24 dy ditë më parë, ministria e Emigracionit kishte premtuar rrëzimin e qarkores penguese, ndërsa shtyrja e afatit jepet deri në 31 dhjetor 2024 pasi në 1 prill 2024 hyn në fuqi Kodi i Rinovuar i Emigracionit, ku veç reformave të tjera në favor të Emigrantëve parashikohet edhe të mos ketë më leje qëndrimi në pritje për afate kaq të gjata kohore, çfarë përbënin ngërç për një sërë procedurash të përditshme.
Vonesa në lëshimin e lejeve të qëndrimit u theksua shumë gjatë pandemisë dhe ndryshimit të sistemit në atë elektronik menjëherë më pas.