Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Grupi i kontaktit të Gazës bëjnë thirrje për armëpushim, refuzojnë zhvendosjen e palestinezëve

Ministrat e Jashtëm nga grupi i kontaktit të Gazës të premten përsëritën thirrjet për një armëpushim të përhershëm dhe refuzimin e zhvendosjes së palestinezëve nga shtëpitë e tyre.

Ministrat e Palestinës, Turqisë, Arabisë Saudite, Egjiptit, Bahreinit, Katarit, Jordanisë dhe Indonezisë u takuan në një forum diplomacie tre-ditor në Antalia.

Kështu kryeministri palestinez, njëkohësisht ministri i Jashtëm Mohammed Mustafa gjatë një konference të përbashkët tha se prioritet i këtij takimi është një armëpushim i menjëhershëm.

Është shumë e rëndësishme të fokusohemi  në prioritetin të cilin e përmendëm gjatë takimit tonë e që është arritja e një armëpushimi të menjëhershëm. Kjo është qasja e duhur,  jo vetëm për të zgjidhur çështjen humanitare por edhe për të rindërtuar Gazën dhe më pas kalimin e një procesi politik që çon në krijimin e shpejtë të shtetit të pavarur të Palestinës.

Ndërkohë, ministri i Jashtëm i Egjiptit, Badr Abdelatty, tha se çdo plan për transferimin e palestinezëve nga Gaza duhet të dështojë sepse do të çojë në “eliminimin” e kauzës palestineze.

Populli palestinez i zhvendosur nga toka e tij do të nënkuptojë eliminimin dhe fundin e çështjes palestineze dhe kjo është ajo që dëshiron pala izraelite. Ne kemi një përgjegjësi për të mbështetur popullin palestinez që të mbajë tokën e tyre përmes arritjes së armëpushimit.

Ndërkohë ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan tha se Turqia refuzon çdo plan i cili i detyron palestinezët të largohen nga toka e tyre.

Ne diskutuam se çfarë hapash mund të ndërmerren brenda komunitetit ndërkombëtar për të siguruar një paqe të qëndrueshme dhe për të vendosur një zgjidhje me dy shtete. Një armëpushim i përhershëm duhet të arrihet sa më shpejt të jetë e mundur. Ne refuzojmë çdo plan që detyron palestinezët të largohen nga atdheu i tyre.