Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Grupi i Radoiçiqit po stërvitet për sulm, krejt çka u tha dje në Komisionin për Mbikëqyrjen e AKI-së

 
   

“Grupi i paramilitarëve terroristë, i udhëhequr nga Milan Radoiçiqi, vazhdon të jetë i strukturuar, ka mjete të mjaftueshme financiare, ka armë dhe mbështetje nga Beogradi zyrtar. Në vazhdimësi janë duke planifikuar e diskutuar mundësitë për sulme. Udhëheqësi i grupit, Milan Radoiçiqi, e vazhdon bashkëpunimin e afërt me strukturat e sigurisë së Serbisë, me zyrtarë të lartë shtetërorë, si dhe është duke mbajtur kontakte me disa grupe, organizata radikale e kriminale, e rajonale”, ka thënë kryetarja e Komisionit për Mbikëqyrjen e AKI-së, Ganimete Musliu, pas raportimit të shefit të kësaj agjencie, Petrit Ajeti

Për nivel shumë të lartë të kërcënimit që i kanoset sigurisë së Kosovës nga grupet paramilitare dhe terroriste të Serbisë janë informuar të mërkurën deputetët e Kuvendit nga përfaqësues të Shërbimit për Inteligjencë.

Burim i informacionit ka qenë Petrit Ajeti, shef i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), i cili ka raportuar në Komisionin parlamentar që e mbikëqyr këtë agjenci, teksa hollësitë nga raportimi i ka shpalosur kryetarja e Komisionit, Ganimete Musliu.

Ajo ka thënë se bazuar në të dhënat e AKI-së, grupi terrorist që e ka ndërmarrë sulmin e armatosur në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator të vitit të shkuar është duke kryer ushtrime në disa lokacione në rrethinën e Novi-Pazarit, të Kopaonikut dhe të Kralevës, në Serbi.

“Grupi i paramilitarëve terroristë, i udhëhequr nga Milan Radoiçiqi, vazhdon të jetë i strukturuar, ka mjete të mjaftueshme financiare, ka armë dhe mbështetje nga Beogradi zyrtar. Në vazhdimësi janë duke planifikuar e diskutuar mundësitë për sulme. Udhëheqësi i grupit, Milan Radoiçiqi, e vazhdon bashkëpunimin e afërt me strukturat e sigurisë së Serbisë, me zyrtarë të lartë shtetërorë, si dhe është duke mbajtur kontakte me disa grupe, organizata radikale e kriminale, e rajonale”, ka thënë Musliu.

Por Musliu ka siguruar se situata e sigurisë në Kosovë është stabile. Ajo ka thënë se gjendje e njëjtë është edhe në veriun e banuar kryesisht me serbë, teksa ka shtuar që megjithëkëtë ka përpjekje të vazhdueshme nga Serbia për tensionim.

“Shërbimet sekrete serbe vazhdojnë të kenë si qëllim cenimin e sigurisë së Kosovës përmes mekanizmave shtetërorë dhe jo shtetërorë. Së fundmi janë rritur aktivitetet hibride që kanë për synim polarizimin e shoqërisë për hapjen e lajmeve të rreme dhe inskenim të incidenteve. Avancimi i projektit nacionalist-serb ‘Bota serbe’ vlerësohet se do të ketë ndikim në sigurinë rajonale”, ka shtuar Musliu.

Kryetarja e Komisionit për Mbikëqyrjen e AKI-së ka theksuar se ushtria serbe ka rritur numrin e patrullave dhe të dronëve në zonën përreth kufirit në veri, veçmas në zonën nga Zubin-Potoku deri në Leposaviq.

“Rritja e kapaciteteve ushtarake të Serbisë, përqendrimi i forcave serbe afër kufirit me Kosovën si dhe stërvitjet ushtarake të anëtarëve të formacioneve terroriste janë tregues se Serbia vazhdon të ketë synime agresive ndaj Kosovës”, ka thënë ajo.

E në një intervistë, ambasadori i Britanisë së Madhe, Jonathan Hargreaves, e ka kualifikuar Ballkanin Perëndimor si një rajon të rrezikshëm.

“Është një rajon i rrezikshëm. Ka shumë rreziqe në rajon dhe shumë arsye për të qenë të kujdesshëm.  Natyrisht se nuk kam parë ndonjë dëshmi të veçantë a plan apo incident, dhe ne bashkëpunojmë shumë afër me kolegët e KFOR-it dhe me Policinë në mënyrë që të kuptojmë këto rreziqe dhe nëse kemi të tilla, t’i zvogëlojmë këto rreziqe”, ka thënë Hargreaves të martën.

Në shtator bëhet një vit prej kur Policia e Kosovës është sulmuar nga grupi i armatosur, i drejtuar nga ish-nënkryetari i Listës Serbe dhe ish-biznesmeni nga veriu i Kosovës, Milan Radoiciq. Në këtë sulm ka mbetur i vrarë rreshteri i Policisë, Afrim Bunjaku. E megjithëkëtë, Radoiçiqi dhe grupi i tij nuk janë vënë ende para drejtësisë dhe vazhdojnë të jenë të lirë në Serbi.