Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Guterres thotë se situata në Gazë është apokaliptike

Shefi i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, ka thënë të hënën se situata në Gazë është “apokaliptike” dhe ka paralajmëruar se kushtet me të cilat përballen palestinezët në atë territor, mund të përbëjnë “krimet me të rënda ndërkombëtare”.

Duke e lëshuar një deklaratë në konferencën në Kajro, me qëllim të rritjes së ndihmës humanitare, Guterres i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar të “ndërtojë themelet për një paqe të qëndrueshme në Gazë, dhe përgjatë Lindjes së Mesme”.


Reklamë

Reklamë

Reklamë
ADVERTISEMENT

Lufta në Gazë ka shpërthyer pas sulmeve të Hamasit – grupit të shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – në jug të Izraelit, në tetor të vitit të kaluar, duke vrarë mbi 1.200 njerëz dhe duke marrë peng mbi 240 të tjerë.

Si pasojë e ofensivës hakmarrëse të Izraelit në Gazë janë vrarë më shumë se 44.000 njerëz, sipas të dhënave të autoriteteve shëndetësore palestineze.

“Kequshqyerja është në kulm. Sistemi shëndetësor është shembur”, ka thënë ai.

Shefi i OKB-së ka thënë se Gaza tani e ka “numrin më të madh të fëmijëve me gjymtyrë të amputuara”, dhe që “shumë prej fëmijëve po iu nënshtrohen operacioneve pa anestezion”.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së ka qenë kritik edhe për kufizimet e ashpra në dërgim të ndihmës.

Sipas Agjencisë së OKB-së për Refugjatë Palestinezë (UNRWA) vetëm 65 kamionë me ndihma në ditë kanë arritur të hyjnë në Gazë muajin e kaluar, në krahasim me rreth 500 para luftës.

Organizatat ndërkombëtare të ndihmës kanë përsëritur vazhdimisht se situata është alarmante dhe rrezikon të përkeqësohet edhe më shumë në Gazë, dhe që civilët po vuajnë më së shumti.

Sipas Guterresit, bllokadat për hyrje të ndihmave në Gazë nuk janë pasojë e “krizës logjistike”, por e “mungesës së vullnetit politik për respektim të parimeve themelore të ligjit ndërkombëtar”.

Disa përpjekje të Shteteve të Bashkuara dhe fuqive tjera për dhënie fund të kësaj lufte, kanë dështuar./RadioEvropaeLirë