Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë shumë të shqetësuar me faktin se Qeveria e Kosovës nuk është duke ndërmarrë hapa konkret për de-eskalim të situatës në pjesën veriore.
Hovenier, tha se kryeministri, Albin Kurti, duhet të nisë zbatimin e planit trepikësh të propozuar nga Bashkimi Evropian për dalje nga situata e tensionuar në veri.
Ky plan sipas ambasadorit Hovenier është ajo çfarë përveç SHBA-së, kërkon BE-ja si dhe Mbretëria e Bashkuar.
“Miqtë e Kosovës, vendet dhe institucionet që më së shumti kanë luajtur rol në mbështetjen e Kosovës në këtë trajektore, të gjitha po kërkojnë nga Kosova, nga kjo qeveri që të ndërmerr disa veprime specifike dhe që të zbatojë planin trepikësh të BE-së”, tha Hovenier.
Plani trepikësh i kërkon Kosovës shtensionimin e situatës në veri, mbajtjen e zgjedhjeve të reja dhe kthimin në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Duke folur në emisionin Rubikon Hovenier tha se është e habitshme se pse nuk ka një përgjigje pozitive nga Qeveria e Kosovës.
“Jemi të habitur. Është e vështirë për neve ta kuptojmë se përse kjo kërkesë nuk merr përgjigje pozitive dhe nuk duket që do të ketë”, tha ambasadori Hovenier.
Hovenier nuk përjashtoi pasoja të tjera për Kosovën në rast se Qeveria e Kosovës nuk iu përgjigjet kërkesave të partnerëve ndërkombëtarë.
“Është e qartë se do të ketë disa pasoja tjera nëse vazhdojmë në këtë rrugë ku Qeveria e Kosovës nuk iu përgjigjet kërkesave të të gjithë miqve të saj nga të gjitha shtetet që kanë treguar një apo dy dekada përkushtim që të shohin Kosovën duke zëne vendin e saj në Evropë dhe në strukturat euroatlantike”, tha Hovenier.
Ai mohoi zërat kritik se SHBA-ja është duke u treguar më e ashpër me Kosovën se me Serbinë duke thënë se edhe nga Serbia është duke u kërkuar zbatimi i planit trepikësh.
Duke komentuar dërgimin e njësive speciale të Policisë së Kosovës në komunat veriore, Hovenier tha se ajo nuk është mënyra më e mirë për të mbajtur situatën në kontroll si dhe përmendi sic tha ai, shqetësimet e shfaqura nga qytetarë të pjesës veriore për praninë e madhe të zyrtarëve policorë të njësive speciale të Kosovës.
Përkundër mospajtimeve, Hovenier, tha se SHBA-ja e konsideron kryeministrin Kurti partner porse sic tha ai, Kurti, duhet të punojë drejt shtensionimit të situatës dhe mbajtjes së zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.
Hovenier tha se SHBA-ja pret dalje në zgjedhje të qytetarëve të këtyre katër komunaleve dhe se për këtë janë në diskutime me serbët lokalë në Kosovë si dhe me Beogradin zyrtarë.
Më tej ambasadori Hovenier tha se duhet të shihet me shqetësim letra e tetë senatorëve amerikanë që iu drejtua presidentit amerikan, Joe Biden, për të shprehur shqetësimin e tyre për situatën e tensionuar në veri të Kosovës.
Ambasadori Hovenier, ka thënë se nuk është vetëm ShBA-ja e cila ka kërkesa për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës.
Ai deklaroi se kërkesa të tilla kanë edhe shtetet tjera ndërkombëtare që janë aleate të Kosovës, dhe shtoi se nuk mund t’i kuptojë institucionet kosovare që ende nuk kanë një përgjigje të duhur në përputhje me kërkesat e shteteve mike.
“Gjithashtu, dëshiroj ta vë në pah se nuk janë vetëm Shtetet e Bashkuara që po e kërkojnë këtë gjë. Vetëm këtë javë kanë ndodhur disa gjëra mjaft të jashtëzakonshme. Prej të hënës, Kryeministri Kurti është takuar me Sekretarin britanik për Punë të Jashtme, ka biseduar me Sekretarin e Shtetit Blinken, ka biseduar me presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, ka pasur deklarata publike nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, pra në thelb, konfigurimi i institucioneve në të cilat Kosova synon të anëtarësohet dhe që ne do ta mbështesim me gjithë zemër dhe miqtë e Kosovës”, tha Hovenier.
”Vendet dhe institucionet që kanë luajtur rol në mbështetjen e Kosovës në këtë trajektore, të gjitha po i kërkojnë Kosovës, kësaj qeverie, që të ndërmarrë disa veprime specifike dhe të zbatojë këtë planin trepikësh të BE-së. Jemi të habitur, e kemi të vështirë të kuptojmë se përse nuk ka përgjigje pozitive dhe nuk duket që do të ketë”, ka thënë Hovenier.
“Kjo është fjala që sapo e përdora. Unë jam i habitur, po përpiqem të kuptoj pse. Është rast mjaft unik që një Qeveri e Kosovës të mos i përgjigjet kësaj përbërjeje të aktorëve, që të gjithë i kanë interesat më të mirë të Kosovës në mendje. Po, jam i habitur, i shqetësuar, dua të shmangë një situatë në fund të kësaj letre nga Senati dhe kam sjellë një kopje dhe do ta lexoj një fjali që mendoj se është mjaft e rëndësishme”, u shpreh ai.
Ai ka folur edhe për propozimin e Edi Ramës për draft-statutin për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, të cilin e ka quajtur serioz dhe i menduar mirë.
Ai ka theksuar se Shtetet e Bashkuara nuk kërkojnë nga Kosova që ta formojë një Asociacion i cili bie ndesh me Kushtetutën e saj.
“Po, gjëja e parë që do ta thosha është se kam pasur mundësi ta lexoj, por jo në detaje, propozimin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe që Rama e ka prezantuar, është serioz, është i menduar mirë, por ka shumë ide dhe shumë mënyra se si mund të bëhet. Është një propozim i bërë nga Friedrich Ebert Foundation, që ishte gjithashtu serioz dhe i realizuar me kujdes. Pra ajo që do të thosha është se nuk kemi mungesë të ideve të mira se si mund të bëhet kjo”, ka thënë ai në kk.
Tutje, Hovenier duke iu referuar asaj që ka thënë Këshilltari i lartë në Departamentin Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, ka thënë se është e qartë që Asociacioni nuk do të ketë autoritet ekzekutiv.
“Dhe më lejoni ta përsëris atë që e kam thënë disa herë, ShBA-ja nuk i kërkon Kosovës që të bëjë një Asociacion të Komunave me Shumicë Serbe që e shkel kushtetutën e saj aktuale, që nuk është në pajtueshmëri me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, apo që shkon përtej asaj që ne u munduam ta shtrojmë në një editorial të botuar nga Ndihmës-sekretari Escobar dhe nga Këshilltari i lartë në Departamentin Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, që e bënë shumë të qartë se nuk do të ketë autoritet ekzekutiv, jo nivel të tretë të qeverisjes, jo model si të Republikës Serbe, ne nuk do ta përkrahim këtë. Ka mënyra për ta bërë këtë, që u përgjigjen shqetësimeve të komunitetit dhe natyrisht i mirëpresim idetë e njerëzve të tjerë se si të bëhet kjo”, ka theksuar Hovenier.
Më tej, ai ka thënë se në fund të ditës, Qeveria e Kosovës duhet të prezantojë ide të reja, duhet të punojë me Miroslav Lajçakun dhe bashkësinë ndërkombëtare për të ecur përpara drejt zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit.
Sipas tij, edhe Serbia ka përgjegjësi, të cilat duhet t’i realizojë për ta zbatuar marrëveshjen e Ohrit.