Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka thënë se pajtohet me të gjeturat e auditimit të performancës “Mbështetje e ndërmarrjeve mikro të vogla dhe të mesme MINT/KIESA”.
Njërin nga shqetësimet që ka ngritur Auditori, Hajdari tha se është mungesa e furnizimit me ujë dhe hapja e puseve për nevoja të bizneseve te Parku i Biznesit në Drenas.
Sipas saj, Kosova nuk ka arritur të zbërthejë potencialin ekonomik privat. Madje tha se zonat ekonomike kanë sjellë vlerë të shtuar dhe nuk kanë qenë tërheqëse për investitorë.
“Në vitin 2021 dhe 2022 kemi kërkuar këtë auditim të performancës sepse nuk kishim politika të mirëfillta për sektorin privat. Kosova nuk ka arritur të zbërthejë potencialin ekonomik privat. Kemi zhvilluar strategjinë kombëtare për biznese deri në vitin 2030 bazuar në këto gjetje të auditimit të performancës. Synojmë transformim të industrisë sonë. Sa i përket zonave ekonomike kemi marr raportin e performnacës, dhe nuk kanë sjellë vlerë të shtuar dhe nuk kanë qenë tërheqëse për investitorë”, tha Hajdari.
“Duhet një ligj i ri për zona specifike e jo mikse që nuk kanë fokus. Nuk ka pas administrim të mirëfilltë, neve na kanë ardhur fatura për këto zona për ujë dhe për shërbime tjera”, tha tutje Hajdari.
Deputetja Mirlinda Sadiku-Tishukaj, shpalosi raportin me të gjeturat e Auditorit.
“Në këtë raport të performancës 2019-22 qëllimi është të shihen hapat që ka marr kjo Ministri për ngritje të kapaciteve të zonave ekonomike. Ka mungesë në zhvillim të ndërmarrjes. Ka mungesë të strategjisë. MINT po vepron pa strategji dhe kështu rrezikohen këto zona industriale. Themelimi zonave të lira ekonomike pa studim fizibiliteti 2014-2018, në Mitrovicë, Gjakovë dhe Prizren Qeveria nuk ka arritur t’i funksionalizojë këto zona”, tha ajo.