Nga sulmi i Banjskës ende nuk kemi masa ndëshkuese për Serbinë.
Prijësi i këtij sulmi terroist Milan Radoiçiq poashtu mbetët i pakapur edhe nga INTERPOL.
Natyrisht që kjo situatë po vazhdon të sjellë reagime nga krerët e Kosovës, si dhe liderët e tjerë politikë.
E në lidhje me këtë temë në një bashkëbisedim me “Bota sot”, ka folur deputeti i Kuvendit të Kosovës, Haki Abazi.
Ai thotë se ani pse ndërkombëtarët po kërkojnë ndëshkim të sulmit terrorist në Banjskë, mes rreshtave po kërkohet që shkëmbimi territorial të kthehet si opsion të zgjedhjes pëfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë.
“Serbia edhe sot nuk është dënuar për këtë sulm, Radoiçiq lëviz i lirë në Serbi, dhe bashkësia ndërkombëtare vazhdon që në nivel deklarativ të kërkon të merren masa kundër kryesëve të kësaj vepre terroriste. Por ajo që une lexoj mes rreshtash është se ka një pjesë të faktorit ndërkombëtar që është i interesuar të kthejë shkëmbimin territorial si opsion të zgjedhjes përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë. Rrjedhimisht kjo pjesë e faktorit ndërkombëtar ka mbyllur sytë para një invazioni të atillë në veri që do të krijonte një realitet të ri”, u shpreh ai.
Më tej, Abazi thekson që përkrahja nga SHBA dhe shtetet tjera evropiane nuk po mungon mirëpo Serbia përsëri e mendon që ta bëjë Kosovën vend jostabil.
“Fatmirësisht SHBA dhe shtetet tjera serioze evropiane nuk janë në pajtim dhe përkrahin Kosovën dhe integritetin territorial të Kosovës siç e kanë njohur. Kjo ka bërë që të kemi një zbrapsje por jo domosdoshmërisht kjo do të thotë se Serbia nuk do të bëj përpjekje në të ardhmen për të krijuar realitet të ri në terren për të imponuar skenare që sfidojnë pavarësinë dhe funksionalitetin e vendit dhe realizojnë qëllimet e Serbisë. Për të bërë Kosovën si vend të paqëndrueshëm dhe jostabbil sidomos për investitorët e huaj”, u shpreh ndër të tjera deputeti Haki Abazi për “Bota sot”.
Intervistën e plotë me deputetin e Kuvendit të Kosovës, Haki Abazi mund ta lexoni nesër në portalin “Bota sot”.