Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Halil Geci ‘godet’ LDK-në shkaku i Doarsa Kica-Xhelilit – ka disa fjalë për këtë të fundit!

 
   

Halil Geci ka vazhduar me kritika ndaj Lidhjes Demokratike të Kosovës, ku tha se kjo parti është në rrugë të gabuar.

Ai përmendi largimin e rugovistëve dhe promovimin e emrave të politikanëve që nuk kanë histori në këtë parti, e që ndikuan në rënie të rezultateve në zgjedhjet e 9 shkurtit.

Në këtë rast, Geci përmendi specifikisht Doarsa Kica-Xhelilin dhe aderimin e saj nga Lista “Guxo” në LDK.

Atë e cilësoi si një faktor përçarës brenda partisë.

“LDK duhet të marrë në konsideratë kufizimin e paraqitjeve publike të Kica-Xhelilit në emër të partisë, për të shmangur përçarje të mëtejshme brenda strukturave të saj”, shkroi ndër të tjera Geci, përcjell “Bota sot”.

Shkrimi i plotë

LDK në rrugën e gabuar: Humbja e votuesve tradicional dhe afrimi i figuarve pakontribut

Largimi i rugovistëve, ndryshimi i kursit politik dhe promovimi i emrave pa histori në parti ndikuan në rënien e LDK-së

Doarsa Kica-Xhelili është një figurë e re në skenën politike të Kosovës, e cila fillimisht u afirmua përmes listës “Guxo” dhe mbështetjes së Presidentes Vjosa Osmani. Më pas, ajo kaloi në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), një lëvizje që ka ngjallur diskutime brenda dhe jashtë partisë.

Për shumë anëtarë të LDK-së, angazhimi i saj nuk është parë si një vlerë e shtuar, por më tepër si një faktor që ka krijuar pakënaqësi brenda strukturave tradicionale të partisë. Kica-Xhelili nuk ka një histori të gjatë kontributi në LDK, por u rendit në krye të listës për deputete nga kryetari i partisë, Lumir Abdixhiku, duke anashkaluar figura me dekada të tëra kontributi në shtetndërtim dhe në LDK, si Anton Çuni, Fadil Haderxhonaj dhe shumë të tjerë. Ky veprim shkaktoi një reagim të fortë brenda bazës së partisë.

Një pjesë e elektoratit të LDK-së beson se, nëse cilido tjetër do të ishte vendosur në të njëjtin pozicion, do të kishte marrë vota të larta. Kjo ngre pyetjen nëse Kica-Xhelili e ka ndihmuar realisht partinë, apo ka qenë një element që ka kontribuar në rënien e saj në sondazhe dhe zgjedhje.

Deklaratat e fundit të Kica-Xhelilit, veçanërisht ato që përjashtojnë çdo mundësi bashkëpunimi të LDK-së me Vetëvendosjen – madje edhe nëse partisë i ofrohet posti i kryeministrit dhe të gjitha ministritë – kanë ngjallur debat mbi qëndrimin strategjik të LDK-së dhe ndikimin që ajo mund të ketë në elektoratin e partisë.

Në politikë, komunikimi dhe strategjia janë elemente kyçe. Për këtë arsye, LDK duhet të marrë në konsideratë kufizimin e paraqitjeve publike të Kica-Xhelilit në emër të partisë, për të shmangur përçarje të mëtejshme brenda strukturave të saj. Nëse ajo vazhdon të jetë një zë i spikatur i partisë, kjo mund të shkaktojë pakënaqësi te votuesit tradicionalë dhe te kontribuuesit afatgjatë të LDK-së. Nëse kjo situatë nuk menaxhohet me kujdes, në zgjedhjet e ardhshme, partia rrezikon të përballet me një ndëshkim të madh nga elektorati i saj besnik.

Një pyetje e rëndësishme që mbetet për t’u analizuar është: A e ka ndëshkuar elektorati i Vetëvendosjes LDK-në, apo humbja e mbështetjes ka ardhur nga largimi i votuesve tradicionalë të partisë, siç ishin rugovistët e Listës “Guxo” – të cilët i larguan nga LDK vetëm për shkak të frikës se Vjosa Osmani dhe Donika Gërvalla do të sfidonin lidershipin dhe do të merrnin primatin e partisë?

Shumë analistë besojnë se LDK ka humbur mbështetje kryesisht për shkak të largimit të figurave rugoviste dhe afrimit të individëve pa histori të gjatë në parti. Po ashtu, ndryshimi i kursit politik, përfshirë vendime simbolike si largimi i fotografisë së Ibrahim Rugovës ,ka bërë që një pjesë e elektoratit ta perceptojë partinë si të shkëputur nga rrënjët e saj historike.

Në fund, mbetet për t’u parë nëse LDK do të arrijë të rikthejë besimin e votuesve të saj dhe të krijojë një qasje më të balancuar në raport me elektoratin dhe strukturat e brendshme.