Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Halimi: Rasti i mbrëmshëm na shpërfaq sistemin e brishtë të institucioneve të sigurisë

Zyrtarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sibel Halimi ka reaguar pas ngjarjes së mbrëmshme në Bon Vivant.

Ajo tha se gangsterizimi është duke u shndërruar në mënyrë jetese për shumë të rinj në Kosovë.

“Gangsterizmi po shndërrohet në mënyrë jetese për shumë të rinj në Kosovë dhe në mënyrë indirekte është duke u përbrendësuar në shoqërinë tonë. Ky botëkuptim dhe sjellje promovohet kudo, por vështirë t`i vihet përball një model tjetër identitar, ai i qytetarit të edukuar mirë, që e shquajnë vlerat humane dhe solidarësia qytetare. Prandaj, funksionimi efikas i mekanizmave të rendit dhe ligjit është pa alternativë”, ka shkruar ajo në një postim në “Facebook”.

Më tutje, Halimi tha se ngjarja e mbrëmshme ka dëshmuar sistemin e brishtë të institucioneve të sigurisë.

“Rasti i mbrëmshëm na shpërfaq sistemin e brishtë të institucioneve të sigurisë. Personat të cilat janë të përndjekur nga drejtësia vazhdojnë të bredhin të lirë qyteteve tona dhe natyrisht epilogu është një tragjedi e tillë, kur grupe të rinjsh përplasen si në një shesh beteje. Tragjedia e mbrëmshëm na ka tronditur të gjithëve, rendi dhe ligji po cenohen rëndë, nga grupe të organizuara që nuk hezitojnë të përdorin armë në ambiente urban. Qytetarëve duhet t`u ofrohet siguri në qytetin e tyre që të mos lihen si kolateral, nën mëshirën e grupeve rivale”, ka shkruar tutje ajo.