Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Halitaj e quan antikushtetuese të ashtuquajturën “Lëvizje për braktisjen e islamit”

Gazetari Agron Halitaj, ka thënë se e ashtuquajtuara “Lëvizje për braktisjen e islamit” është në kundërshtim me rendin juridiko-kushtetues të Kosovës.

Sipas tij, secili qytetar është i lirë në përcaktimin e tij fetar, siç është i lirë të jetë edhe i pafe, por thirrjet që po bëhen nga pjesëtarët e grupit iniciues të kësaj “lëvizjeje” bien ndesh me lirinë e shprehjes.

“Secili qytetar është i lirë në përcaktimin e tij fetar, siç është i lirë të jetë edhe i pafe. Por, asnjëri nuk ka të drejtë të fyejë besimin e tjetrit. Nuk është çështje vullneti, pëlqimi apo mospajtimi, as adhurimi a urrejtjeje, por është bazament i respektimit të të drejtave të njeriut të mos i lëndojë ndjenjat e besimtarëve të një feje të caktuar. Në këtë frymë është e ndërtuar edhe Kushtetuta e Kosovës.

Marrë parasysh këtë, ajo që po trumbetohet ditëve të fundit si “Lëvizje për braktisjen e islamit” është e ndaluar me rendin juridiko-kushtetues tonin. Thirrjet që po bëhen nga pjesëtarët e grupit iniciues të kësaj “lëvizjeje” pikë së pari bien ndesh me lirinë e shprehjes, sepse në Kushtetutën tonë është e përkufizuar qartë se: Liria e shprehjes mund të kufizohet me ligj në raste kur një gjë e tillë është e domosdoshme për parandalimin e nxitjes dhe provokimit të dhunës dhe armiqësive në baza të urrejtjes racore, kombëtare, etnike ose FETARE”, ka shkruar ai.

Tutje, Halitaj ka thënë se pavarësisht se sa i madh apo i vogël është grupi që e ka nisur këtë lëvizje, u takon institucioneve të veprojnë duke e ndaluar me vendim gjyqësor të gjykatës kompetente.

Ai po ashtu tha se kur keqpërdoret liria e shprehjes dhe kur cenohet liria e asocimit, atëherë edhe mediat duhet të tregohen të kujdesshme se si e trajtojnë atë zhvillim.

“Pavarësisht se sa i madh apo i vogël është grupi që e ka nisur këtë lëvizje, u takon institucioneve të veprojnë sepse ashtu i obligon Kushtetuta. Në nenin 44 për Lirinë e asociimit shkruhet “zi mbi të bardhën” se: Organizatat ose aktivitetet që kanë për qëllim cenimin e rendit kushtetues, shkeljen e lirive dhe të drejtave të njeriut, ose nxitjen e urrejtjes racore, kombëtare, etnike a FETARE, mund të ndalohen me vendim gjyqësor të gjykatës kompetente.

E kur keqpërdoret liria e shprehjes dhe kur cenohet liria e asociimit atëherë edhe mediat duhet të tregohen të kujdesshme se si e trajtojnë atë zhvillim. Kushtetuta jonë parasheh kufizime në rastet “kur një gjë e tillë është e domosdoshme për parandalimin e nxitjes dhe provokimit të dhunës dhe armiqësive në baza të urrejtjes racore, kombëtare, etnike ose FETARE”. Për çka do tjetër, “askush nuk mund të pengojë shpërndarjen e informacionit ose të ideve nëpërmjet medieve”, ka përfunduar Halitaj.