Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti, ka komentuar deklaratën e sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, se Policia e Kosovës dhe FSK-ja duhet të konsultohen me KFOR-in rreth çdo aksioni që mund të ndikojnë në mjedisin e sigurisë.
Haliti iu ka kthyer aksionit të policisë në veri të Kosovës më 2011, në rastin e vrasjes së policit, Enver Zymberi, për të treguar se aksioni i atëhershëm kishte qenë i pakoordinuar me ndërkombëtarët.
Tutje, ai tha se se duhet të jemi kooperativë, dhe të mos qesim ‘petulla në ujë’.
“E kemi pasur një përvojë të keqe në të kaluarën, kur i kemi nisur forcat speciale në veri në aksion, dhe në kthim e sipër, dua ta them publikisht, policinë e Kosovës e ka shpëtuar ambasadori i ShBA-së, sepse kanë rënë në pritë, kanë qenë në rreziqe shumë, shumë të mëdha. Ka qenë aksioni ku është vrarë polici Zymberi në aksion, të cilin ne e kemi shpallur hero. Duhet të jemi kooperativë, dhe të mos qesim ‘petulla në ujë’, se a e kemi të shkruar a jo. Marrëveshjet politike me bashkësinë ndërkombëtare nuk shkruhen në Kushtetutë, dhe nëse KFOR-i kërkon diçka prej nesh, ajo nuk është kategori kushtetuese por duhet të zbatohet”.
“Aksioni i atëhershëm ka qenë plotësisht i pakoordinuar me aleatët”, tha Haliti, për aksionin në veri, ku mbeti i vrarë polici Enver Zymberi.