Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Haliti: Gërmimet në Serbi janë politizuar skajshmërisht

 
   

Ditor Haliti, ushtrues detyre i drejtorit të Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML), ka thënë se gërmimi në Serbi, në kërkim të personave të zhdukur është i vështirë, pasi sipas tij, kjo gjë nga ky shtet është politizuar skajshmërisht.

Ai ka thënë se në vitin 2023, kanë kryer gërmime vetëm në një lokacion në Serbi, ku nuk kanë gjetur ndonjë trup.

Haliti në emisionin “InfoNata” në Tëvë 1, tha se gërmimet në Serbi varen edhe nga rezultati i dialogut.

“Çështja e gërmimeve në Serbi është e politizuar skajshmërisht dhe varet nga rezultati i dialogut. Kemi disa informata për disa lokacione ku mund të ketë potencialisht viktima, por neve duhet në na jepet leja për të shkuar për të hulumtuar”, tha Haliti.

Sa i përket gërmimeve në Kosovë, ai tha se këtë vit kanë kryer gërmime në 15 lokacione, ku kanë gjetur 17 mbetje mortore, për të cilat janë duke pritur rezultatet e ADN-së.

“Këtë viti janë gërmu 20 lokacion, 15 kanë qenë që lidhen me individë të zhdukur nga lufta në Kosovë dhe kemi zhvarrosur diku 17 mbetje mortore dhe jemi në pritej të analizave të ADN-së të cilat janë dërguar në Hagë dhe jemi në pritje të rezultateve”, tha ai.

Haliti tha se do të vazhdojnë më gërmime në Kosovë, ku aktualisht kanë 4 lokacione në të cilat pritet të nisin punën.