Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Haliti: Qytetarët serbë në pritje të urdhrit për kryengritje në Veri, Kurti e Sveçla të tregojnë kah po vjen rreziku

 
   

Deputeti nga Partia Demokratike e Kosovës Xhavit Haliti, ka komentuar konferencën për media e mbajtur nga kryeminsitri Kurti dhe Ministri Sveçla, ku paralajmëruan sulme të reja nga Serbia.

Haliti thotë se nuk po e kupton sinqeritetin e Kurtit, pasi që të dalin para mediave ata duhet të tregojnë se nga vjen rreziku për Kosovën, a vjen nga Radoiçiqi apo nga Vuçiqi.

“Unë nuk po e kuptoj sinqeritetin e Kurtit, ashtu siç kam përshtypje që as ai e shumë më pak Sveçla po i dinë përgjegjësitë e veta. Kur të dalin para mediave ata duhet ta sqarojnë popullin se nga vjen rreziku për Kosovën. A vjen rreziku nga Radojçiqi me bandat e veta apo nga Vuçiqi, i cili e ka çelësin e urdhrit. Ne duhet ta dimë se nga kush po rrezikohemi dhe si të përgatitemi për t’u mbrojtur. A duhet mobilizim popullor apo vazhdojmë ta kemi garancen, mbrojtjen e sigurinë nga KFOR”, tha Haliti.

Tutje ai thotë se KFOR –i po i shton forcat e veta vetëm për ta paralizuar lojën e Vuçiqit.

“Nëse ata kanë nevojë për ushtarë, atëherë FSK duhet të jetë e gatshme që në momentin e duhur t’iu bashkëngjitet dhe të futet nën komandën e KFOR it. Për të qenë i sinqertë me opinionin dëshiroj që të jam i qartë dhe i sinqertë me ta. KFOR po i shton forcat e veta për ta paralizuar lojën e Vuçiq it, sepse sipas të dhënave, armatimi i futur në Kosovë nga shërbimet e fshehta të Serbisë, KOS, BIA e VOS , u janë shpërnda qytetarëve serbë të cilët janë në pritje të marrjes së urdhrit për të filluar kryengritjen e armatosur për aneksimin e Veriut të Kosovës”, shtoi Haliti.

Ai thotë se Vuçiqi nuk ka guxim që ta urdhëroj ushtrinë për sulm ndaj Kosovës.

“Vuçiq nuk ka as fuqi e as guxim që të urdhëroj ushtrinë për sulm ndaj Kosovës. Ai do të paraqitet që s’ka informata se çfarë po ndodhë në Kosovë, me qëllim që bashkësia ndërkombëtare të mos merr masa kundër tij. Ai po përpiqet që serbët e Kosovës e në veçanti forcat nacionaliste, ish- rojat e urës, ish policët e Kosovës t’i përdorë si kamikazë për të realizu interesat e tija. Prandaj, urgjentisht KFOR duhet të filloj propagandën bindëse për qytetarët e veriut”, u shpreh Haliti.

Deputeti thotë se Kryeministri Kurti dhe Ministri Sveçla duhet ti kryejnë detyrat e tyre që ua ka ngarkuar Kushtetuta.

“Duke mos e zgjatur me informata dua të theksoj që, BE së cilës i është besuar ndërmjetësimi në mes të Kosovës e Serbisë është e angazhuar që të arrijmë marrëveshje me bisedime, e jo të ketë luftë e cila mund të jetë me pasoja të rënda jo vetëm për Kosovën e Serbinë, por për gjithë vendet e Ballkanit, ashtu siç mund të jetë edhe një provokim me përmasa të paparashikueshme e shumë të rrezikshme. Prandaj, në këtë situatë Sveçla e Albini, secili duhet të angazhohen që t’i kryejnë detyrat e veta që ua ngarkon Kushtetuta. Si duket Sveçla ia ka marrë kompetencat edhe drejtorit të AKI dhe po flet edhe në emër të tij”, tha Haliti.