Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Haliti tregon për themelimin e LDK-së në Shtërpcë dhe për bisedën e tij me Rugovën

 
   

Ish-kryetari i degës së LDK-së në Shtërpcë, Hamdi Haliti, ka treguar se si u formua dega e LDK-së në Shtërpcë gjatë vitit 1981.

Po ashtu, në emisionin “Fakte me Adnan Merovcin” në Klan Kosova, ai tregoi edhe çka i tha ish-Presidenti Ibrahim Rugova kur kuptoi për këtë iniciativë të tyre.

“Kam shkuar në Prishtinë dhe për herë të parë e kam takuar doktor Rugovën, kam biseduar dhe e kam kërkuar mendimin e tij. Ai siç ka qenë i thjeshtë, modest edhe vizionar ka thënë se ju përgëzojë juve atje për guximin por me sa e njohë unë është terren shumë i rrëshqitshëm, prandaj, unë po të lajmëroj që ne mund t’iu japim vetëm përkrahje morale por diçka tjetër jo se ende LDK nuk ishte e regjistruar si parti”, shtoi ai.

Tutje, profesor Haliti rrëfeu se me 20 janar është mbajtur mbledhja e parë e këshillit, ku kanë marrë pjesë ai (Hamdi Haliti), Sakip Imeri, Izet Imeri, Haki Sinani, Rexhep Rexhepi, dhe disa veprimtar tjerë.

“Dhe më pas kemi punuar dhe e kemi përgatitur terrenin për krijimin e nëndegëve dhe të aktivëve. Deri me 20 maj i kemi formuar edhe 4 degë dhe secila degë i ka pas aktivët e saj, varësisht nga madhësia e fshatit”.

Ai mes disa temave të trajtuara ka rrëfyer edhe disa detaje që lë të kuptohen kushtet e vështira për mbijetesë më të cilat u përballën atë kohë.

“Problemi më i madh ka qenë papunësia, përjashtimi i njerëzve nga marrëdhënia e punës edhe ata pak qytetarë që kanë qenë të punësuar. Si trevë e varfër problemin kryesor dhe frikën e kemi pas mos po na ndodhë që në trevën tonë mu paraqit uria dhe në këtë drejtim kemi marrë menjëherë masa, menjëherë kemi formuar një Këshillë të Solidaritetit, i cili është përkujdesur për familjet që kanë pasur nevojë për ndihma dhe më vonë është formuar edhe Shoqata “Nëna Terezë”, me të cilën kemi pasur një bashkëpunim të shkëlqyeshëm dhe e kemi pas një marrëveshje, ata i kanë ndihmuar të gjitha familjet në trevën tonë por kur kanë pasur mungesa në ushqim dhe në ndihmat e tyre atëherë ka ndërhyrë këshilli i Solidaritetit i LDK-së”.

“Jemi përballur edhe me arsimin që ka qenë edhe qëllimi kryesor i okupatorit për shkak se nuk i ka pranuar programet serbe dhe i ka përjashtuar të gjithë arsimtarët në nivel të Kosovës edhe në nivelin tonë nga rroga, dhe në është dashur të merremi edhe me arsimin ku u formua një këshillë”, tregoi ai në emisionin “Fakte me Adnan Merovcin”.