Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

“Hapat e ardhshëm të Kosovës për anëtarësim në KiE”, MPJ e Gjermanisë deklarohet për takimin me Kurtin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka takuar sot në Berlin Ministren e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Annalena Baerbock, të cilën e ka falënderuar për mbështetjen e Gjermanisë për kandidaturën e Kosovës për në Këshillin e Evropës.

Kurti dhe Baerbock diskutuan për marrëdhëniet bilaterale, reformat, integrimin evropian të Kosovës, me theks në procesin e anëtarësimit të Prishtinës në Këshillin e Evropës.

Ai falënderoi Gjermaninë për ndihmën e madhe nga viti në vit, dhe për rolin aktiv në zhvillimin dhe përparimin e Kosovës, si dhe partneritetin e ngushtë me Berlinin, njoftoi Qeveria e Kosovës.

Kurti gjithashtu shprehu mirënjohjen për mbështetjen e Gjermanisë për kandidaturën e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe theksoi se mbështetja gjermane është e një rëndësie kyçe në rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit të plotë në BE.

Një nga temat e takimit ishte edhe energjia dhe Kurti e njoftoi Baerbokun për suksesin e tenderit të parë për panele diellore prej 100 megavatësh, si dhe përgatitjet për tenderin e radhës për termocentralet e erës prej 150 megavatësh.

Edhe Ministria e Punëve të Jashtme gjermane në rrjetin social “X” ka njoftuar se temë kryesore e takimit ka qenë anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës.

Siç thuhet në njoftim, Baerbock dhe Kurti kanë diskutuar për hapat e ardhshëm në rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës.

“Pak më pak se tri javë deri në takimin e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës në Strasburg. Baerbock foli me Albin Kurtin në margjinat e konferencës së Petersberg-ut se cilat hapa janë të rëndësishëm tani, nëse Kosova dëshiron t’i hapë rrugën anëtarësimin në Këshillin e Evropës”, ​​thuhet në njoftimin e Ministrisë.