Në prag të 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës, në Muzeun Kombëtar është hapur ekspozita “KFOR and Kosova +25”.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se kjo ekspozitë na kthen pas në muajt e parë të lirisë duke sjellë në pah një periudhë historike të rëndësishme për të gjithë ne.
Ai tha se kjo ekspozitë, krahas mbajtjes gjallë të kujtimeve është edhe informuese dhe frymëzuese për brezat e rinj.
Kurti: Kjo ekspozitë na kthen pas në muajt e parë të lirisë dhe sjell në pah një periudhe historike të rëndësishme
“Kemi në ditët ku shënojmë 25 vjetorin e çlirimit dhe pa shmangshëm këtu na kthejnë një çerekshekulli më parë, kur populli i Kosovës po i përjetonte ditët e fundit të luftës…Tani janë bërë 25 vjet nga lufta e Kosovës dhe një brez i tërë i lindur pas lufte është rritur, gjeneratat e reja do të kenë mundësi të njohjes së kaluarës sonë, të dëshirës për të jetuar i lirë dhe dashurisë së pareshtur për Kosovën në kohërat më vështira e në kushtet më të rrezikshme. Kjo ekspozitë na kthen pas në muajt e parë të lirisë dhe sjell në pah një periudhë historike të rëndësishme për të gjithë ne. Na sjell kontrastin ndërmjet çnjerëzores së një regjimi dhe bukurisë së hershme të njerëzimit. Krahas mbajtjes gjallë të kujtimeve është edhe informuese dhe frymëzuese për brezat e rinj”, tha Kurti.
Ndërkaq, ish sekretari i përgjithshëm i NATO-s, George Robertson derisa e kujtoi kohën e para 25 vjetëve si shumë të vështirë, tha se kjo ekspozitë paraqet natyrën njerëzore të saj çfarë ka ndodhur më vonë.
Ai potencoi se në “KFOR and Kosova +25” , ka shumë tregime që reflektojnë dhe si të tilla duhet t’i tregohen brezave të ardhshëm.
Robertson: 25 vjet më parë ishte një kohë shumë e vështirë, ishim kundër një armiku të fuqishëm
“25 vjet më parë ishte një kohë shumë e vështirë, ishim kundër një armiku të fuqishëm dhe nuk e kishim rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe e dinim pse duhet të hynim dhe të vepronin. Kjo ekspozitë që Sita dhe kolegët e saj e kanë përgatitur paraqet natyrën njerëzore të saj çfarë ka ndodhur më vonë dhe shërbimi që shumë persona në uniformë dhe të tjerët që i kanë mbështetur ata. Ka shumë tregime që reflektojnë dhe duhet të tregohen për brezat e ardhshëm…Prandaj, storja është këtu për të kaluarën dhe ne jemi rikujtues se e ardhmja është në duart e njerëzve të Kosovës“, theksoi Robertson.
I pranishëm në hapjen e kësaj ekspozite ishte edhe ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves.
Në fjalën e tij, ai tha se tashmë po shënohet hyrja e forcave të NATO-s në vitin 1999, që solli shpresë për katastrofën humanitare që po zhvillohej në atë kohë.
Hargreaves nënvizoi se Mbretërisë e Bashkuar dhe vetë Kosova do të jenë përherë falënderues për rolin e KFOR-it në të kaluarën por edhe tani, në sigurimin e stabilitetit dhe sigurisë.
Hargreaves: Ne në Mbretëri të Bashkuar por edhe në Kosovë gjithmonë do të jemi falënderues për rolin e KFOR-it
“Ne tash po shënojmë edhe hyrjen e forcave të NATO-s në vitin 1999 që solli shpresë për katastrofën humanitare që po zhvillohej në atë kohë. Po të mos të kishim intervenuar në atë kohë, OKB-ja, NATO-ja, BE-ja dhe bashkësia ndërkombëtare mund ta kishim dënuar vetveten si dëshmitarë të asaj se çfarë ka ndodhur. Ne në Mbretëri të Bashkuar por edhe në Kosovë dhe në bashkësinë ndërkombëtare gjithmonë do të jemi falënderues për rolin që KFOR-i ka luajtur këtu dhe vazhdon të luajë për të siguruar stabilitet në Kosovë dhe në rajonin më të gjerë. Viti 1999 shënon edhe një lidhje më afatgjate me Kosovën dhe demonstron gjithashtu e di që në këtë sallë kemi shumë storje të thella që i lidhin njerëzit në Mbretëri të Bashkuar dhe në Kosovë”, potencoi Hargreaves.
Ndërkaq, drejtoresha e organizatës “Heartstone”, Sita Kumari derisa ka folur për prapaskenat e kësaj historisë së paraqitur në këtë ekspozitë tha se ndihet e privilegjuar të tregojë storje rreth këtyre ngjarjeve.
Ajo tha se ndryshimet e bëra përgjatë 25 viteve pas luftës në Kosovë janë të mrekullueshme.
Kumari: Është privilegj të jem këtu sot dhe të paraqes storje
“A mund të iu tregoj se çfarë nderi është që të jemi ne këtu me të gjithë ju dhe të ju falënderoj që keni ardhur. Është privilegj të jem këtu sot dhe të paraqes storje. Iu kam thënë njerëzve që 25 vjet nuk është kohë e gjatë dhe ndryshimet që i kam parë në këtë periudhë kohore, janë të mrekullueshme”, tha Kumari.
Ndërkaq, online ishin të pranishëm edhe autori i fotodokumentarit Nick Sidle, Drejtori i UNA Skoci, Gari Donn, Drejtori i Interfaith Scotland, Maureen Sier.
Ekspozita “KFOR and Kosova +25” përfshin një fotodokumentar unik nga foto-gazetari skocez Nick Sidle, i realizuar në Kosovë në vitin 2000-2001, duke treguar jetën dhe punën e paqeruajtësve të KFOR-it.
Kjo ekspozitë do të jetë e hapur përgjatë dhjetë ditëve të ardhshme.