Nënkryetar i Komunës së Prishtinës, Alban Zogaj ka bërë të ditur se është hapur konkursi për krijimin e sheshit monumental të komandantit legjendar Adem Jashari.
Ai ka thënë se ky shesh do të shërbejë si një vend ku brezat e sotëm dhe të ardhshëm mund të mësojnë, siç u shpreh ai, një prej kapitujve më të rëndësishëm në historinë e kombit tonë.
“Bac, Prishtina po të pret! Kemi hapur konkursin për krijimin e sheshit monumental të komandantit legjendar, Adem Jashari, që do ta ketë pjesë thelbësore monumentin e qëndresës, guximit dhe lavdisë së heroit të kombit dhe familjes Jashari, si një prej themeleve më të rëndësishme të lirisë së vendit”.
“Ky shesh do të shërbejë jo vetëm si një simbol i sakrificës së madhe, por edhe si një vend ku brezat e sotëm dhe të ardhshëm mund të mësojnë një prej kapitujve më të rëndësishëm në historinë e kombit tonë”, është shprehur Zogaj.