Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Hapja e urës mbi Ibër, Bytyçi: Veprim simbolik, s’duhet të insistohet

 
   

Seb Bytyçi, njohës i zhvillimeve politike, në një bisedë, përmes një lidhjeje direkte, në magazinën “Lajmet e fundit” në RTK, flet për vëmendjen që po merr angazhimi i institucioneve të Kosovës për hapjen e urës mbi lumin Ibër për qarkullim të automjeteve. Ai tha se ura mund të hapet, por duke qenë se është më shumë veprim simbolik ndoshta nuk është mirë që të insistohet me patjetër.

Sipas Bytyçit, kjo ngjarje dhe të tjerat duhen shikuar në kontekstin e zgjedhjeve në SHBA.

Kurse për veprimet tjera të qeverisë, ai tha se duhet shikuar në aspektin substancial dhe simbolik.

“Veprimet substanciale janë disa përpjekje për zvogëlimin  e ndikimit të institucioneve të Serbisë sidomos në ndikimin financiar, si mbyllja e bankave, postës, ndërsa i veprim simbolik mund të shihet hapja e urës”, tha Bytyçi, derisa sqaroi se kjo nuk do të kishte efekt në pengimin e ndikimit të Serbisë, por do të ishte hap simbolik që do të kishte ndikim te qytetarët .

Qasja e BE-së ndaj këtij problemi, përmes dialogut, Bytyçi u shpreh skeptik, duke thënë se për këtë çështje janë arritur dy marrëveshje dhe që nuk ka pasur sukses dhe, për më tepër, shtoi ai, dialogu tani për tani është bllokuar.

“Edhe nëse insiston Kosova, ura mund të hapet, por kjo duke qenë se është më shumë veprim simbolik ndoshta nuk është mirë që të insistohet me patjetër”, tha Bytyçi, duke shtuar se duhet lëshuar pe në këtë aspekt në mënyrë që të përkushtohet në veprime më substanciale.