Çështja për hapjen e urës vazhdon të diskutohet akoma.
Lidhur me këtë publicisti Milaim Nela, ka thënë se Kurti me këtë qëndrim nxori në dritë hipokrizinë e faktorit ndërkombëtar, pastaj edhe infantilizmin e opozitës së Kosovës.
Por, Nela vë theksin edhe të mos reagimi i kryeministrit, Edi Rama, për të cilën thotë se po hesht si në kohën kur çeshtja e kufijëve të Kosovës ishte çeshtje e ditës, e që sipas Nelës, “heshtja e tij nuk është gjë tjetër veçse qëndrim në mbrojtje të interesave të Serbisë në Kosovë!”
Shkrimi i plotë:
URA E IBRIT, OPOZITA KOSOVARE DHE TIRANA ZYRTARE!
Ka ditë që po diskutohet do hapet apo jo ura e Ibrit!?
Ura duhej të ishte hapur para shumë vitesh bazuar në një marrëveshje të vitit 2016 mes Kosovës e Serbisë por ne e dimë tashmê që negociatat e lëna në tentativë Rama-Thaçi-Vuçit për korrigjimin e kufijëve (nënkupto) ndarjen e Kosovës sigurisht që e kanë lënë në hije dakordësinë për hapjen e urës së Ibrit.
Pavarësisht synimeve të Kryeministrit të Kosovës për ta bërë çeshtje Urën e Ibrit këto ditë bie në sy qëndrimi i opozitës së Kosovës që në vend që të kërkojē zbatimin e marrëveshjes së Brukselit të vitit 2016 nga të gjitha palët akuzon qeverinë Kurti për mosbindje ndaj ndërkombëtarëve.
Këta nuk janë në koherencë as me qendrimet e veta të mëparshme.
Ne e dimë që veprime të caktuara qeveria e Kosovës nuk mund ti marrë pa dakordësinë e KFOR përderisa rolin e tij e ka të sanksionuar në Kushtetutë.
Nga ana tjetër ne e dimë që nga hapja e urës humbasin Vuçiçi dhe bandat e veriut të kontrolluara prej tij. Nga hapja e urës dhe komunikimi përfitojnë serbët në radhë të parë e pastaj të gjithë qytetarët e Kosovës.
Nuk e di si e justifikojnë ambasadorët e KUINT-it moshapjen e urës! Si mund ti dëmtojë të drejtat dhe liritë e serbëve hapja e një ure?
Fakti që Kurti mund ta bëjë këtë për qëllime elektorale në kohë të koklavitura të gjeopolitikes botërore duke qenë se zgjedhjet janë shumë afër nuk e delegjitimon kauzen e tij për hapjen e Urës.
Kurti me këtë qëndrim në këtë kohë na ka nxjerrë në dritë e para, hipokrizinë e faktorit ndërkombëtar i cili qartazi nuk e do integrimin e serbëve të veriut brenda shtetit të Kosovës dhe e dyta, infantilizmin e opozitës kosovare e cila duket se nuk ka asnjë shans të kthimit në pushtet në zgjedhjet e ardhshme me kësij qëndrimesh pa bosht e kjo është për të ardhur keq!
Sa më shumë që keta jargaviten para faktorit ndërkombëtar aq më shumë i neveriten zgjedhësit shqiptar të Kosovës.
Dikujt mund ti ketë bërë përshtypje këto ditë mungesa e prononcimit të Tiranës Zyrtare rreth hapjes apo moshapjes se Urës.
Pse hesht Rama dhe Tirana Zyrtare?
A ju kujtohet kur çeshtja e kufijëve të Kosovës ishte çeshtje e ditës?
Asnjë prononcim nuk kishim nga Rama apo Tirana zyrtare! Zero.
I vetmi që fliste ishte tellalli I Ramës dhe Vuçiçit Baton Haxhiu!
Sot kur diskutohet Ura e Ibrit jemi ekzaktësisht në të njëjtën situatë!
Rama hesht edhe sot, e heshtja e tij nuk është gjë tjetër veçse qëndrim në mbrojtje të interesave të Serbisë në Kosovë!
Asgjë nuk ka ndryshuar!
Mbajtja e urës mbyllur, insistimi për Asociacionin e Komunave me shumice serbe janë në funksion të ndarjes së veriut të Kosovës, kanë nxjerrë në pah fytyrën e vërtetë të faktorit nërkombëtar e janë në funksion të shkatërrimit të shtetësisë dhe integritetit territorial të saj.
Kjo tentative duket se akoma nuk ka vdekur e këtë na e thotë here pas here zëdhënësi i përbashkët (jo zyrtar) i Ramës dhe Vuçiçit, Baton Haxhiu!
Edhe ngjarja në dukje rastësore me presidenten Osmani në aeroportin e Shkupit për mua është e dirigjuar dhe orkestruar nga Beogradi për ta diskretituar dhe deligjitimuar shtetin e Kosovës.