Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, deklaroi sonte në pritjen tradicionale të kësaj partie për fillimvit, se Kosova ka ende punë përpara dhe kryesorja sipas tij është marrëveshja finale me Serbinë.
Ai tha se Kosova ka zhvilluar demokracinë duke punuar së bashku me popullin e saj, por edhe me aleatët ndërkombëtarë.
“Mos harroni, Kosova ka ende punë përpara, e kryesorja për Kosovën është për ta mbyllur një marrëveshje në dialog me Serbinë në përputhje me Kushtetutën tonë në dakordim me aleatët tanë SHBA dhe BE. Kosova të anëtarësohet në NATO sa më shpejt të jetë e mundur, sepse anëtarësimi në NATO është ndihmesë për stabilitetin jo vetëm të Kosovës, por edhe rajonit dhe Kosova të ketë zhvillim ekonomik e qytetarët ta kenë jetën e mirë”, tha Haradinaj.
Ai theksoi se të gjitha këto arritje pritet të bëhen duke e ndërruar qeverinë aktuale të drejtuar nga Lëvizja Vetëvendosje.
“Ne mendojmë t’ia arrijmë sukseset Kosovës duke e ndërruar qeverinë. Ne po duam ndryshim në demokracinë tonë dhe shpresojmë që opozita do ta arrijë këtë ndryshim”, tha Haradinaj.
Ndryshe, AAK ditë më herët ka arritur koalicionin parazgjedhor me NISMA-n Socialdemokrate të Fatmir Limajt.