Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, deklaroi se draft-statuti për Asociacionin, të cilin e ka pranuar nga ndërmjetësit e BE-së, është shqetësues.
Haradinaj kërkoi sqarime nga kryeministri Kurti se përse nuk ka propozuar Kosova një draft.
“I gjithë dokumenti është shqetësim, logjika e dokumentit është shqetësuese, janë disa pika që janë shumë domethënëse, siç është rasti i arbitrazhit me të cilin bije fuqia e cilitdo institucion ligjor në Kosovë”, ka thënë Haradinaj në RTK.
Pos tjerash ai deklaroi se edhe preambula është problem e cila sipas tij është e panevojshme dhe si e tillë duhet të hiqet përshirë edhe 1244-shin që është në të. Kreu i AAK-së tha se drafti duhet patjetër të dërgohet në Kushtetuese dhe gjyqtarët ta trajtojnë atë, në secilin nen, për të parë se ku ka shkelje kushtetuese.
Ish-kryeministri Haradinaj, ka qenë kritik për atë se pse dokumenti nuk u është dhënë nga institucionet e Kosovës por nga ndërmjetësit. Ai ka pyetur kryeministrin Kurti se pse ai nuk ka bërë një draft por ka pritur që një dokument i tillë të vije nga ndërmjetësit.
“Pas pranimit të planit franko-gjerman, Kosova do duhet ta propozonte një dokument, disa herë kanë ardhur amerikanët duke kërkuar nga Kosova që ta bëjë këtë hap, por kjo nuk ka ndodhur cuditërisht”, deklaroi Haradinaj.