Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka këshilluar ish pjesëtarët e UÇK-së që të bëjnë kujdes gjatë udhëtimit, pasi sipas tij Serbia ka riaktualizuar përndjekjen e qytetarëve që kanë qenë pjesë e UÇK-së.
Ai ka thënë se Serbia ka arritur t’i shtrijë tentakulat e saj në disa vende të rajonit dhe se po i shfrytëzon përparësitë e saj si anëtare e Interpolit.
Haradinaj ka përmendur rastet kur u ndalua në Francë dhe në Slloveni.
“Serbia në kuadër të luftës speciale kundër vendit tonë, ka riaktualizuar përndjekjen e qytetarëve të Kosovës që kanë qenë pjesë e çlirimit të vendit, kryesisht ish pjesëtarë të UÇK-së. Fatkeqësisht, Serbia ka arritur t’i shtrijë tentakulat e saj edhe në disa vende të rajonit si dhe po i shfrytëzon përparësitë e veta si anëtare e Interpol dhe organizatave të tjera ndërkombëtare, për ndjekje ligjore në vendet jashtë Kosovës. Një model i tillë ishte aplikuar me rastin e ndalimit tim në Francë dhe Slloveni. Prandaj ju këshilloj që të bëni kujdes gjatë udhëtimeve tuaja”, ka shkruar Haradinaj.