Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Haradinaj kujton të rënët e Masakrës së Izbicës dhe bashkëluftëtarët Elez Geci e Maxhun Berisha

 
   

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka përkujtuar Masakrën e Izbicës dhe sakrificën e bashkëluftëtarëve të tij, Elez Geci dhe Maxhun Berisha, në betejën e Pozharit.

“Masakra e Izbicës tronditi botën, por për ne mbetet një plagë e pashlyeshme dhe një betim për liri. 147 shqiptarë të paarmatosur, mes tyre gra, fëmijë dhe pleq, u ekzekutuan mizorisht nga forcat serbe, si pjesë e planit për shfarosjen e popullit tonë. Amaneti i tyre do të mbetet përgjithmonë udhërrëfyes i yni”, ka shkruar Haradinaj.

Në të njëjtën ditë, ai ka kujtuar edhe Betejën e Pozharit, ku UÇK-ja i shkaktoi humbje të mëdha forcave serbe.

“Elez Geci dhe Maxhun Berisha ranë si heronj në këtë betejë, duke vulosur qëndresën tonë për liri. Sakrifica e tyre nuk do të harrohet kurrë,” ka theksuar ai.

Haradinaj ka përmendur gjithashtu edhe themelimin e Brigadës 137 Gjakova, si një prej momenteve kyçe të luftës.

“Kjo brigadë, e para urbane në Kosovë, u ngrit nga djemtë dhe vajzat më të mira të kombit, të gatshëm për të mbrojtur çdo pëllëmbë të atdheut,” ka shtuar ai.

Haradinaj ka theksuar se Kosova do t’i mbajë përherë në kujtesë të gjithë ata që dhanë jetën për liri.