Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka insistuar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq kanë agjendë të përbashkët dhe se punojnë bashkë.
Haradinaj ka thënë se të dy krijojnë kriza për ta nxjerrë njëri-tjetrin nga problemet. Këtu ai e ka përmendur edhe sulmin terrorist në Banjskë, në të cilin mbetën të vrarë pjesëtari i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku dhe tre pjesëtarë të grupit terrorist.
“Vuçiqi dhe Kurti janë bashkë, janë me një agjendë, punojnë bashkë. Kur Vuçiqi është ngushtë, e bën naj budallaki Albini dhe e nxjerr prej krizave atë, kur Albini është ngushtë, e bën ai ndonjë krim e sulm terrorist si ai në Banjskë dhe e nxjerr prej problemit Albinin”, ka thënë Haradinaj.
Ai është shprehur i bindur se pretendimi i tij do të vërtetohet.
“Është shumë e thjeshtë. Do të vërtetohet si në energji që e shpjegova që na ka lënë kështu”, ka theksuar kryetari i AAK-së.
Haradinaj ka folur edhe për përpjekjet e qeverisë për të shtrirë sovranitetin në pjesën veriore të Kosovës. Haradinaj edhe këtu ka thënë se Kurti po vepron duke bashkëpunuar me Vuçiqin.
“Kurti mund të lavdërohet se po e forcon rendin në veri, por përpos rendit në veri kërkohet funksionimi institucional, për fat të keq ne ende nuk kemi funksionim të mirë në gjyqësor edhe në polici nuk e kemi të mirëfilltë sepse është i sjellur aty, nuk e kemi në komuna në nivel nacional. Nuk kemi pjesëmarrje të popullit atje. Kjo është vetëm përkohësisht, pra Kurti e din shumë mirë dhe Vuçiqi sepse këta bashkë janë, i ndihmojnë njëri-tjetrit, Kurti e din që tani në zgjedhjet nacionale serbët marrin pjesë në veri dhe i marrin deputetët dhe po ashtu e din që kurdo që bëhen zgjedhjet komunale i merr prapë komunat me serbët sepse ata do të dalin në zgjedhje dhe krejt këto ushtrime të Kurtit për të forcuar rendin atje [në veri] na kthehen si kundërvlerë e që nuk bën pa ua dhënë një asociacion të fortë atyre sepse Prishtina nuk ua respekton të drejtat, kjo që po na ndodhë me goditjet e ndërkombëtarëve”, ka thënë Haradinaj.
“Pra, serbët po punojnë një strategji të përbashkët me Kurtin. Ky i nxjerr përfitimet ditore. E bën një video e bindin diasporën. Rendi është forcu, policia i ka kryer punët edhe më herët. Ky po e bën publicitetin e vet, Vuçiqi po thotë shihni si po jetojnë pakicat. Vetëm po e shoh dobësimin e statusit ndërkombëtar të Kosovës”, ka shtuar ish-kryeministri i Kosovës.
Haradinaj ka insistuar se sikur Kosova të anëtarësohej në Këshillin e Evropës dhe të merrte pjesë në samitin e NATO-s që është mbajtur në Washington, do të forcohej statusi ndërkombëtar i Kosovës. Por sipas tij, Kurti ka dështuar dhe e ka ndihmuar Vuçiqin që të duket si palë e mirë.
“Sikur të kishim hyrë në Këshillin e Evropës do të ishim më të fort. Sikur të na thërrisnin në Samitin e NATO-s në Washington do të ishim më të fortë. Ky na ka dobësuar krejtësisht statusin ndërkombëtar, na ka bërë palë e dënuar dhe ia ka dhënë mundësinë Vuçiqit që të jetë palë e mirë edhe pas sulmit terrorist në Banjskë ku u vra një zyrtar policor i yni. Kurti i shërben agjendës së Serbisë plotësisht dhe e menaxhon në interesa të ndërjsella. Herë fiton Kurti herë Vuçiqi. Është një pingpong i tyre”, ka thënë Haradinaj.