Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Haradinaj: Kurti po bën luftë hibride ndaj të arriturave të Kosovës

 
   

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka akuzuar Qeverinë Kurti për luftë hibride ndaj sukseseve të Kosovës.

Haradinaj tha në Rubikon të Klan Kosovës se kryeministri Kurti nuk po e vazhdon asnjë projekt të mbetur në gjysmë nga qeveritë e mëhershme.

“Kurti jo vetëm që nuk i ka realizuar sukseset aty ku kanë munguar, por i ka luftuar të arriturat e mëhershme, i ka mohuar edhe sa ishte në opozitë, një pozicion lufte hibride të ngjashme me atë të armiqve të Kosovës, luftë hibride ndaj të arriturave të vendit”, tha Haradinaj.

I pari i AAK-së tutje tha se kryeministri Kurti po vazhdon ta mohojë ekzistencën dhe sukseset e vendit.

“Autostrada për Shkup ekziston, ushtria ekziston, Trepça pronë e Kosovës ekziston, Kurti ka mundur t’i vazhdojë projektet e mbetura në gjysmë, ose në çerek, por asnjë nga këto projekte që kanë qenë fituese të Kosovës nuk kanë vazhduar dhe çka ka ndodhur që është edhe më keq, pra është që Kosova ka arritur të krijojë besim te aleatët, sepse formimi i ushtrisë është rezultat i një besimi”, ka shtuar ai.

“Kurti ka arritur nga një situatë e Kosovës, pra një shtet në ardhje, anëtar i familjes së kombeve që është në proces të realizimit të subjektivitetit ndërkombëtar, e ka kthyer në palë që dënohet nga ata që janë jetik për ne për me ecë përpara në proceset e brendshme”, tha Haradinaj në Rubikon të Klan Kosovës.