Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Haradinaj nderon njësitin e UÇK-së “Yjet e Xhunglës”: I bekuar që i kisha në krah gjatë luftës çlirimtare

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, i ka ndarë medaljen “Me besim në Zot, Atdhe e Shtet” njësitit të UÇK-së, “Yjet e Xhunglës”.

Haradinaj ka thënë se ky njësit i ka dhënë përgjigjen e merituar armikut.

“Gjatë kohës së luftës çlirimtare, kam qenë i bekuar që në rreshtin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, krah kisha shumë djem të zotë, të cilët patën vendosmëri dhe guxim që armikut t’i japin përgjigjen e merituar. Të tillë ishin edhe djemtë e njësitit “Yjet e Xhunglës”. I tërë Rajoni i Dukagjinit, jo vetëm që ka luftuar, por ka ngjitur flamurin e trimërisë me guximin e tyre të papërmbajtur”, ka thënë Haradinaj.

Me këtë rast, Haradinaj ka ndarë dekoratë për njësitin “Yjet e Xhunglës”.

“Si një shenjë mirënjohjeje dhe vlerësimi për angazhimin e tyre të pamohueshëm, për djemtë e njësisë së UÇK-së, “Yjet e Xhunglës” kam ndarë medaljen “Me besim në Zot, Atdhe e Shtet”. Kjo dekoratë është një amanet i qëndrueshëm i lavdisë së tyre!

Nderin që këta trima ia bënë atdheut të tyre do të mbetet përgjithmonë si një pasuri e pamohueshme tek brezat e ardhshëm”, është shprehur Haradinaj.