Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Haradinaj: Në Koshare u ngrit përgjithmonë krenaria kombëtare

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka kujtuar Betejën e Koshares ku tha se u shemb kufiri ndërshqiptar dhe u ngrit përgjithmonë krenaria kombëtare.

Haradinaj tha se në Koshare u vulos me gjak e sakrificë se shqiptarët nuk pranojnë kurrë nënshtrimin.

“Në këtë tokë të lavdisë, trimat e UÇK-së zhvilluan njërën nga betejat më heroike të luftës sonë për liri. Përulemi me nderim para heronjve, Agim Ramadani, Sali Çekaj, Xhemajl Fetahaj dhe gjithë dëshmorëve të Brigadës 138 – brigadë, që mbetet simbol i guximit dhe unitetit tonë kombëtar”.

“Në po të njëjtën datë kur nderojmë heronjtë e Koshares, kujtojmë me respekt të thellë edhe 28 luftëtarët e Brigadës 162 “Agim Bajrami” të Kaçanikut, që ranë heroikisht 26 vjet më parë në fushëbetejë”, shkroi Haradinaj.

Tutje, Haradinaj u shpreh se përulen edhe para kujtimit të 32 martirëve të ekzekutuar mizorisht te “Prroi i Rakocit” dhe në “Lagjen e re”.

“Derisa nderojmë dëshmorët dhe martirët e luftës sonë çlirimtare, kujtojmë se liria që gëzojmë sot ka ardhur me sakrifica të mëdha. Ishte pikërisht lufta e UÇK-së që na solli Aleancën me NATO-n e udhëhequr nga Amerika”, shkroi ai.