Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

​Haradinaj: Pushteti po punon prapa shpinës së mësimdhënësve

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj tha se qeveria do të duhej që sot të njoftonte një lajm të mirë për mësimdhënësit.

Sipas tij, pushteti me arrogancën e numrave po punon prapa shpinës, duke cenuar të drejtat e punëtorëve të arsimit.

Në seancë plenare ai u shpreh se numër i madh i të rinjve janë duke u larguar nga Kosova, ku shtoi se duhet të përkrahen sipërmarrësit e rinj që një gjë e tillë të parandalohet. Në fillim të seancës plenare janë përshëndetur veteranët e arsimit, të cilët janë të pranishëm në Kuvendin e Kosovës, për çka Haradinaj tha se është hipokrizi.

“Në këtë ditë ka qenë e udhës me dhënë ndonjë lajm të mirë për mësuesit, mësimdhënësit. Nuk ka ditë më të duhur se kjo që me ardh pjesëtari i qeverisë për të njoftuar takimin e sotëm të qeverisë edhe me tregu se çka ka ndërmarrë për të përmirësuar pozitën e mësimdhënësve. Nuk ka ndodhur kjo, normal që nuk ka ndodhur. Jo vetëm kaq, jemi hipokritë ne që rrahim shuplaka të gjithë për veteranët e arsimit, a në të njëjtën kohë përkrahim ndryshimet ligjore me ua heq vitet kontributdhënëse. Imagjinoni sa hipokrit jemi. Nuk po i përdori fjalët tjera, por jemi hipokritë. Kjo po ndodhë në Parlamentin e Kosovës, të dashur mësues po ju rrejmë me këto shuplaka”, deklaroi ai.

Veç kësaj, kreu i AAK-së shtoi se qeveria po punon me arrogancën e numrave prapa shpinës së mësimdhënësve.

“Po ashtu po punohet prapa shpinës me arrogancën e numrave, për ta ndryshuar kontratën individuale. Pra, për të ju cenuar të drejtat që i kanë të njohura me ligj mësimdhënësit. Nuk është në rregull kjo pafytyrësi e jona në këtë ditë”, shtoi Haradinaj.