Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka reaguar pas vizitës së kryeministrit Albin Kurti në Maqedoni të Veriut ku theksi ishte vënë te rruga Prizren-Tetovë.
Haradinaj ka ftuar qytetarët në Maqedoni të Veriut të mos i besojnë për rrugën Tetovë-Prizren, transmeton Telegrafi.
“Të dashur bashkombas shqiptarë në Maqedoni të Veriut. Mos i besoni mashtruesit Albin Kurti. Në Kosovë i ka bllokuar të gjitha rrugët e projektet, përfshirë edhe rrugën e Plavës. Pasi nuk mund t’i gënjej më kosovarët, paska ardh të ju mashtrojë ju, për rrugën Tetovë – Prizren”, thotë Haradinaj.
Kreu i AAK-së ka shtuar tutje se kryeministri Kurti edhe në Shqipëri ka tentuar të bëjë të njëjtin veprim.
“Edhe në Shqipëri tentoi njëjtë, por nuk i besuan dhe e përzunë. As ju mos bini pre e mashtrimeve të tij”.
Ndryshe, të premten kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në sheshin “Iliria në Tetovë” edhe një herë bëri thirrje për ndërtimin sa më të shpejtë të rrugës Tetovë – Prizren.
“Aksi rrugor tashmë është marrëveshje mes dy qeverive tona, e kemi nënshkruar marrëveshjen me Zoran Zaevin e kemi vazhduar me Kovaçevskin”, u shpreh kryeministri Kurti.
Kurti e ripërsëriti edhe një herë se rruga që lidh Prizrenin dhe Tetovën përfshin tunel prej 6.4 kilometrave dhe ka nga 15 kilometra nga Prizreni dhe Tetova që do të kushtojë rreth 200 milionë euro, ndërkaq 3/4 e këtyre mjeteve shkojnë për ndërtimin e tunelit.