Ish-ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, ka komentuar zhvillimet e fundit në procesin e dialogut, pas takimeve të 26 shtatorit në Bruksel.
Haradinaj-Stublla ka thënë se implementimi i çfarëdo versioni të Asociacionit, pa njohjen de-jure të Serbisë, do të thotë zgjerim i ndikimit rus dhe legalizim i strukturave paralele serbe.
Ajo në një postim në platformën “X” ka shkruar se e tërë kjo do të sillte ndarje pas disa vitesh.
“Implementimi i ‘Asociacionit’ (çdo version) pa njohjen de-jure nga Serbia (në këtë rast do të përcaktoheshin edhe kufijtë e nënshkruar në Bruksel në vitin 2011) do të thotë:
1.Zgjerimi i epiqendrës së ndikimit rus edhe brenda Kosovës;
2.Legalizimi i institucioneve paralele serbe aktualisht ilegale në Kosovë, dhe
3.Prelud i ndarjes pas disa vitesh!”, ka shkruar Haradinaj-Stublla.
Kujtojmë se pas takimeve të fundit në Bruksel, kancelari gjerman, Olaf Scholz, presidenti francez, Emmanuel Macron dhe kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni përmes një letre kanë dalë me kërkesa të drejtpërdrejta për Kosovën dhe Serbinë.
Ata kërkuan që Kosova të nisë me procedurat për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, sipas draft-statutit të propozuar nga pesëshja perëndimore më 21 tetor, ndërkaq Serbia realizojë njohjen de-facto.