Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Haradinaj takon kongresmenin Torres, kërkon anëtarësim e Kosovës në NATO

 
   

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, gjatë vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka takuar kongresmenin Ritchie Torres.

Haradinaj përmes një postimi në Facebook, ka falenderuar kongresistin Torres për përkrahjen e tij për Kosovën.

“Në kuadër të vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pata nderin e veçantë të takohem me mikun e madh të shqiptarëve, kongresmenin z. Ritchie Torres, të cilit i shpreha falënderimet e mia për përkrahjen e tij dhe mbështetjen e pazëvendësueshme që ai personalisht dhe ShBA-të po i japin Kosovës”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj ka shtuar se është me rëndësi të veçantë forcimi i marrëdhënieve bilaterale Kosovë-Amerikë.

“Kongresistin, z. Ritchie Torres e njoftova për zhvillimet ne Kosovë dhe njëherit kërkova që në Kongresin Amerikan të shtrohet tema e anëtarësimit të shpejtë të Kosovës në NATO. Po ashtu, theksova se është me rëndësi të veçantë forcimi i marrëdhënieve bilaterale Kosovë-Amerikë. Partneriteti strategjik me ShBA-të është garancë për arritjen e çdo suksesi të Kosovës. Do të punojmë pandalur që të zhvillohet e forcohet çdo ditë”, është shprehur Haradinaj.