Kandidati i AAK-së për kryeministër, Ramush Haradinaj është zotuar se do të krijojë Ministrinë për familje.
Lidhur me këtë, ai shton se me krijimin e kësaj ministrie do të sigurohet mbështetja konkrete për çdo familje, nga çiftet e reja tek prindërit e rinj, nga të moshuarit e deri te fëmijët.
“Vepra “Kauza për Familjen” e autorëve Abdullah Klinaku dhe Rovena Tujani-Klinaku vjen në një moment të rëndësishëm për shoqërinë tonë. Ky libër nuk është thjesht një botim – është një manifest që përçon vlerat themelore të familjes shqiptare dhe vizionin tonë të përbashkët për mbrojtjen e saj. Bashkë me Abdullah Klinakun dhe Listën Konservatore, ne ndajmë të njëjtin vizion për forcimin e familjes shqiptare. Krijimi i Ministrisë për Familje dhe zbatimi i “Pakos për Mirëqenien e Familjes” do të sigurojnë mbështetje konkrete për çdo familje – nga çiftet e reja tek prindërit e rinj, nga të moshuarit tek fëmijët”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
“Sfidat e sotme kërkojnë veprime të guximshme. Antarësimi direkt në NATO përmes Planit Aksional, është kthesa e madhe për sigurinë dhe ekonominë e vendit. Në këtë kontekst, fuqizohet edhe angazhimi ynë për familjen dhe fuqizohen politikat tona që garantojnë mbështetje financiare për familjet në nevojë dhe programet e dedikuara për fuqizimin e gruas në shoqëri”.