Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim Tërnava, ka pritur sot në takim delegatin Apostolik të Selisë së Shenjtë për Kosovën, nuncin Jean Marie Speich, i cili shoqërohej nga ipeshkvi i Kosovës, Dodë Gjergji.
Myftiu Tërnava gjatë takimit ka informuar nuncin Jean Marie Speich mbi punët dhe angazhimet e Bashkësisë Islame të Kosovës, me theks të veçantë në kultivimin e bashkëjetesës dhe harmonisë ndërfetare.
Ai tha se si bashkësi fetare kanë bashkëpunim të mirë me Kishën Katolike në Kosovë.
“Ne jemi të gëzuar që vendi ynë ka një harmoni të tillë fetare, e cila është shembull për gjithë botën. Ne jemi vëllezër të një kombi, andaj duhet ta ruajmë dhe ta duam njëri-tjetrin, ngase kështu na porosisin mësimet tona fetare islame,” tha Myftiu Tërnava.
Ndërsa, nunci Jean Marie Speich, falënderoi Myftiun Tërnava për gatishmërinë e tij dhe të institucionit që ai drejton që të ketë bashkëpunim të mirë me të gjitha bashkësitë tjera fetare në vend. Ai çmoi lart kontributin e Myftiut dhe të BIK-ut për harmoninë dhe bashkëjetesën fetare, e cila është prezente në Kosovë.
Në fund të takimit, të dyja palët bënë thirrje që në botë të pushojnë vatrat e konflikteve e luftërave dhe të mbretërojë paqja dhe harmonia ndërmjet njerëzve pa dallim feje apo race.