Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Harris bën thirrje për armëpushim dhe dërgimin e më shumë ndihmave në Gazë

Nënpresidentja amerikane, Kamala Harris, i bëri thirrje Hamasit – grupit militant  palestinez që të pajtohet për një armëpushim të menjëhershëm gjashtëjavor, ndërkaq i kërkoi me ngulm Izraelit që të bëjë më shumë që të rriten dërgesat e ndihmës në Gazë.

Sipas nënpresidentes amerikane, njerëz të pafajshëm në Rripin e Gazës po përjetojnë një “katastrofë humanitare”.

Deklaratat e bëra më 3 mars janë ndër më të ashprat të bëra nga ndonjë udhëheqës i lartë i Qeverisë amerikane deri më tani sa i përket luftës mes Izraelit dhe Hamasit, që nisi në tetorin e vitit të kaluar.

Harris i kërkoi Qeverisë izraelite që të paraqesë mënyra specifike se si mund të dërgohet më shumë ndihmë në enklavën palestineze ku qindra mijëra persona po përballen me uri.

“Duke pasur parasysh shkallën e lartë të vuajtjes në Gazë, duhet të ketë një armëpushim të menjëhershëm”, tha Harris gjatë një ngjarje në Selma të Alabamës. “Në tavolinë është një marrëveshje dhe siç kemi thënë, Hamasi duhet të pajtohet me marrëveshjen. Le të arrihet një armëpushim”.

“Njerëzit në Gazë po vdesin nga uria. Kushtet janë çnjerëzore dhe ne duhet të veprojmë… Qeveria izraelite duhet të bëjë më shumë që të rriten ndjeshëm dërgesat për ndihma. Nuk ka arsyetime”, tha ajo.

Një ditë më herët, një delegacion i Hamasit shkoi në Kajro për të marrë pjesë në rundin e fundit të bisedimet për një armëpushim, por është e paqartë nëse është bërë ndonjë përparim në bisedime. Gazeta izraelite, Yedioth Ahronoth, raportoi se Izraeli kishte bojktoruar bisedimet pasi Hamasi refuzoi kërkesën e tij që të hartohet një listë me emrin e pengjeve që ende janë gjallë.

Uashingtoni ka insistuar që një armëpushim të hyjë në fuqi në nisje të Ramazanit, që fillon pas një jave.

Një armëpushim i tillë do të zgjaste gjashtë javë, pas një armëpushimi më të shkurtër prej një jave të arritur në nëntor. Dhjetëra pengje që mbahen nga Hamasi, do të liroheshin në këmbim të qindra të burgosurve palestinezë që gjenden në burgjet izraelite.

Në sulmin e 7 tetorit në jug të Izraelit – sulm që nxiti luftën – Hamasi vrau 1.200 persona dhe mori peng 250 të tjerë. Izraeli u kundërpërgjigj me një ofensivë ajrore dhe tokësore, që deri më tani ka lënë të vrarë mbi 30.000 persona në Gazë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në enklavën e udhëhequr nga Hamasi.