Zëvendëspresidentja amerikane Kamala Harris është shpallur zyrtarisht kandidatja presidenciale e Partisë Demokratike për zgjedhjet e vitit 2024 në vend të presidentit Joe Bide.
Emërimi i saj u zyrtarizua vonë të hënën mbrëma, pasi raundi pesëditor i votimit në internet nga delegatët e Konventës Kombëtare Demokratike përfundoi.
Partia njoftoi fitoren e saj me anë të një deklarate, ndërsa zbuluan se Harris kishte fituar mbështetjen e 99 për qind të 4,567 delegatëve që votuan.
Harris gjatë tubimit të partisë u zotua se do të vendos rekord kundër Donald Trumpit çdo ditë të javës.
“Kështu që në këtë fushatë unë me krenari do ta vendos rekordin tim kundër tij çdo ditë të javës”, tha ajo.
59-vjeçarja tani duhet të njoftojë shumë shpejt se me cilin zëvendëspresident do të hyjë në garën për Shtëpinë e Bardhë kundër republikanit Donald Trump.
Zgjedhja e një kandidati për zëvendëspresident në një fushatë zgjedhore në SHBA është zakonisht një proces i ndërlikuar që tani duhet të përshpejtohet, pasi Harris u bë kandidate në minutën e fundit pas tërheqjes së presidentit amerikan Joe Biden.
Kandidatja e demokratëve për presidente të Shteteve të Bashkuara, e ka ngushtuar në dy emra listën se kë të zgjedhë për të garuar në pozitën e nënpresidentit, në zgjedhjet e 5 nëntorit.
Sipas burimeve të agjencisë së lajmeve Reuters, Harris do të zgjedhë në mes të guvernatorit të Pensilvanisë, Josh Shapiro apo atij të Minesotas, Tim Walz.
Nëse fiton, Harris do të jetë gruaja e parë, gruaja e parë me ngjyrë dhe amerikania e parë aziatike, që do të hyjë në Shtëpinë e Bardhë.
Tags: Harriskandidate per presidenteSHBA